Protesta e studentëve në Durrës është shoqëruar me përplasje fizike mes të rinjve dhe forcave të policisë. Në pamjet e publikuara shihet një efektiv që godet me shkop gome një protestues, ndërsa studentë të tjerë ndërhyjnë për t’i ardhur në ndihmë.
Pas këtij momenti, situata është tensionuar më tej, duke çuar në përplasje mes një grupi studentësh dhe disa efektivëve të policisë.
Ndërkohë, sipas informacioneve paraprake, gjatë protestës janë djegur kosha mbeturinash, ndërsa një grup protestuesish ka thyer derën e Prefekturës së Durrësit dhe ka hyrë në ambientet e godinës.
Dëmtime raportohen edhe në hapësirat e jashtme të Bashkisë së Durrësit, ku disa pemë janë përfshirë nga flakët.
Ngjarjet në Durrës regjistrohen në ditën e tretë të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve, të cilat kanë nisur në Tiranë dhe janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit.
Të rinjtë kanë vijuar bojkotin e mësimit dhe tubimet, ndërsa protestat janë shoqëruar me përplasje me forcat e rendit.
©ZëriOnline


