40 persona të lënduar gjatë protestës së të enjtes në Tiranë, janë paraqitur për ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës. Mes tyre janë 26 efektivë policie dhe 14 protestues, përfshirë katër të mitur.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, dy prej efektivëve vijojnë të qëndrojnë të shtruar në spital. Njëri prej tyre i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila ka përfunduar me sukses, ndërsa do të vijojë trajtimin në kujdes intensiv.
Sa u përket protestuesve, mes të lënduarve janë edhe katër të mitur, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në praninë e një psikologu klinik.
Ndërkohë, protestuesja e identifikuar me inicialet E.P. ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe po mbahet nën monitorim nga mjekët.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka vizituar të lënduarit në Spitalin e Traumës, ku është njohur nga afër me gjendjen e tyre dhe trajtimin që po marrin.
Bilanci i të lënduarve vjen pas ditës së tretë të protestave në kryeqytet, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
“Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, vizitoi pak minuta më parë të lënduarit gjatë protestës së sotme, të cilët po marrin trajtim në Spitalin Universitar të Traumës.
Ministrja u informua mbi gjendjen e tyre shëndetësore, përfshirë atë të efektivit të Policisë, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale të suksesshme dhe do të vijojë trajtimin nën kujdesin intensiv.
Ndërsa protestuesja E.P. paraqitet aktualisht në parametra shëndetësorë të qëndrueshëm dhe po ndiqet në dinamikë nga ekipi mjekësor.
Gjatë protestës së sotme, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjithsej 40 persona të lënduar, të cilët kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Ekipi mjekësor multidisiplinor ka trajtuar 14 protestues. Katër të mitur kanë marrë trajtimin e nevojshëm në prani të psikologut klinik.
Nga 26 efektivët e Policisë të paraqitur dhe trajtuar në SUT, dy prej tyre vijojnë të qëndrojnë në spital.
Spitali Universitar i Traumës vijon të jetë i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor për çdo person të lënduar, me profesionalizëm dhe përkushtim.
SUT mbetet në krye të detyrës, në shërbim të çdo qytetari”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Traumës.
©ZëriOnline


