Portreti i Moisiut/ Përtej debatit estetik, çfarë standardesh ndjek institucioni?

Date:

Share post:

Ditët e fundit, portreti i Aleksandër Moisiut, i vendosur në oborrin e universitetit që mban emrin e tij në Durrës, është kthyer në objekt debati. Disa e kritikojnë ashpër veprën, të tjerë e mbrojnë, herë-herë më shumë në emër të autorit sesa përmes argumenteve artistike.

Përtej shijes personale, debati ngre një çështje më të rëndësishme, atë se si i konceptojnë dhe i përzgjedhin institucionet veprat e artit që vendosin në hapësirat e tyre?

Aleksandër Moisiu është një figurë e rëndësishme e artit skenik shqiptar dhe europian. Emri i tij përfaqëson një trashëgimi artistike që meriton të trajtohet me seriozitet. Pikërisht për këtë arsye, një vepër që i kushtohet atij në një institucion arsimor duhet të mbështetet në një koncept të qartë artistik dhe në një proces të përgjegjshëm përzgjedhjeje.

Çfarë kërkoi universiteti nga kjo vepër? Një portret që përfaqëson Aleksandër Moisiun si figurë të artit europian, apo një imazh që sjell ndër mend një personazh, rol të interpretuar prej tij në skenë? Janë dy qasje të ndryshme, që kërkojnë zgjidhje të ndryshme artistike.

A u zhvillua një konkurs apo thjesht u porosit? Kush i vlerësoi bocetet dhe cilat ishin kriteret e përzgjedhjes? A u diskutua koncepti i veprës në raport me identitetin dhe misionin e universitetit?

Këto nuk janë pyetje dytësore. Janë pjesë e përgjegjësisë së institucionit që porosit një vepër arti dhe e vendos atë në një hapësirë publike.

Një universitet nuk është thjesht një vend ku ekspozohen objekte. Ai është një institucion që, përmes zgjedhjeve të tij, duhet të përcjellë kulturë, dije dhe standarde profesionale. Për këtë arsye, edhe një vepër arti duhet të jetë rezultat i një procesi që mund të shpjegohet dhe të mbrohet me argumente.

Nëse debati përfundon vetëm te pëlqimi ose mospëlqimi i portretit, çështja thelbësore mbetet pa përgjigje. Problemi nuk është vetëm si duket vepra, por edhe si u vendos që ajo të ishte aty.

Respekti për Aleksandër Moisiun nuk matet vetëm me emrin që mban universiteti, por edhe me standardet kulturore dhe profesionale që institucioni zgjedh të përfaqësojë, në mënyrë që të mos përfundojë në nivelin e “Karameles së Durrësit”.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Aksident në aksin Berat–Dimal, humb jetën 63-vjeçari

Një automjet përplasi një biçiklist në fshatin Moravë, ndërsa nga aksidenti mbeti e plagosur edhe një këmbësore 63-vjeçare....

Po pinte kafen e mëngjesit, kur një person i maskuar e qëlloi nga pas këngëtarin në Shkodër

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja me armë zjarri në fshatin Shtoj të Shkodrës, ku mbeti i...

Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, plagoset një person

Një plagosje me armë zjarri është regjistruar rreth orës 10:40 në fshatin Shtoj të Shkodrës.  Sipas informacioneve paraprake, i...

Ylli anglez Harry Kane emocionon me dedikimin: “Ky Top i Artë është edhe i yti, të dua!”

Një moment i mbushur me emocione, dashuri dhe mirënjohje. Harry Kane, në fjalimin e tij pas fitimit të...