Një automjet përplasi një biçiklist në fshatin Moravë, ndërsa nga aksidenti mbeti e plagosur edhe një këmbësore 63-vjeçare. Policia po heton rrethanat e ngjarjes.
Një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri ka ndodhur paraditen e sotme në aksin Berat–Dimal, në fshatin Moravë.
Sipas policisë, rreth orës 10:15, një automjet që drejtohej nga shtetasi J. D. është përplasur me një biçikletë, me të cilën po lëvizte 63-vjeçari K. S. Si pasojë e përplasjes, biçiklisti ka humbur jetën në vendngjarje.
“Rreth orës 10:15, në aksin rrugor Berat–Dimal, në fshatin Moravë, shtetasi J. D., duke drejtuar automjetin, është përfshirë në një aksident rrugor me shtetasin K. S., 63 vjeç, i cili lëvizte me biçikletë. Si pasojë e aksidentit, shtetasi K. S. ka ndërruar jetë në vendngjarje”, tha policia lokale.
Nga aksidenti ka mbetur e dëmtuar edhe një këmbësore, e identifikuar me inicialet Dh. A., 63 vjeçe.
“Gjithashtu, gjatë përplasjes është dëmtuar edhe këmbësorja, shtetasja Dh. A., 63 vjeçe, e cila është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.
Ndërkohë, grupi hetimor po kryen veprimet procedurale në vendngjarje për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar shkakun e aksidentit.


