Në orët e para të mëngjesit, fshati Shalës i Konispolit u trondit nga një ngjarje tragjike. Rreth orës 07:00, gjatë një konflikti të ndodhur në banesë, Hysen Islamaj, 69 vjeç, dyshohet se vrau bashkëshorten e tij, Shano Islamaj, 66 vjeçe, menjë sëpatë.
Pas këtij akti të rëndë, ngjarja mori një kthesë tjetër të dhimbshme. Djali i çiftit, Klementin Islamaj, rreth 40 vjeç, ndërhyri dhe dyshohet se në përpjekje për të ndaluar babain, e shtyu atë nga shkallët. Për pasojë, Hysen Islamaj ndërroi jetë në vend.
Policia e Konispolit, që shkoi në vendngjarje, ku arrestoi Klementin Islamajn. Aktualisht, grupi hetimor po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes nën drejtimin e Prokurorisë.
Kjo tragjedi ka ngritur pyetje të shumta, përfshirë edhe dilemën morale dhe ligjore mbi arrestimin e Klementin Islamajt.
Në një situatë ku një djalë përballet me babain e tij që ka kryer një akt të rëndë kundër nënës, reagimi emocional dhe fizik i tij është i kuptueshëm. Pyetja që ngrihet është: A duhej ai të ishte arrestuar, duke marrë parasysh që veprimet e tij mund të kenë qenë një përpjekje për t’u përballur me krimin e kryer, apo parandaluar një tragjedi më të madhe?
Sipas ligjit, çdo veprim që shkakton vdekjen e një personi duhet të hetohet me kujdes, pavarësisht rrethanave.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Zëri Online se po punohet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe rolin e djalit në të.
Është e rëndësishme që hetimet të marrin në konsideratë gjithë situatën, përfshirë gjendjen e rënduar emocionale dhe kushtet e emergjencës së krijuar në ato momente të vështira.
Arrestimi i Klementin Islamajt konsiderohet i domosdoshëm për të siguruar një hetim të drejtë dhe të plotë, por, gjithashtu është e rëndësishme që organet ligjzbatuese të tregojnë ndjeshmëri dhe mirëkuptim ndaj rrethanave të veçanta të këtij rasti, nëse rrethanat do të rezultojnë si deklarohen paraprakisht. Detyra e sistemit ligjor është të gjejë balancën midis zbatimit të ligjit dhe drejtësisë humane.
@zërionline


