Shqipëria është përfshirë sot nga një përkeqësim i ndjeshëm i kushteve atmosferike, me reshje dëbore në zonat malore, si dhe rënie të ndjeshme temperaturash në gjithë territorin.
Në lartësinë mbi 800 metra bora ka arritur në 20 cm trashësi.
Në veri, verilindje dhe juglindje të vendit, dëbora ka zbardhur Dibrën, Librazhdin, Pukën, Mirditën, Kukësin, Korçën e Pogrqdecin. Temperaturat në këto rajone kanë rënë nën zero dhe kanë mbetur të ulëta gjatë ditës, duke shtuar vështirësitë për banorët dhe dëmtuar frutikulturën.



Në qarkun e Shkodrës, moti i keq ka sjellë reshje të dendura dëbore në zonat malore, ku trashësia e borës ka vështirësuar qarkullimin. Autoritetet lokale deklarojnë se janë në terren për të bërë pastrimin dhe kriposjen e rrugëve.
Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar në qarkullim, sidomos në akset rurale dhe malore, ndërsa po monitorojnë situatën për të ndërhyrë aty ku paraqiten emergjenca.
Ndërkohë, moti i ftohtë është ndjerë edhe në Ultësirën Perëndimore. Në Tiranë dhe qytete të tjera të zonës bregdetare si Durrësi, Fieri dhe Vlora, temperaturat kanë zbritur ndjeshëm për këtë periudhë të vitit, ndërsa reshjet e shiut dhe vranësirat kanë qenë të pranishme gjatë gjithë ditës.
Moti i keq ka paralizuar përkohësisht sektorin e peshkimit në Durrës. Anijet e flotës janë strehuar në kalatë, ndërsa dhe sektori i ngarkim-shkarkimit të anijeve tregtare u cenua nga kushtet atmosferike.


Moti i keq që ka përfshirë vendin këtë të diel pritet të përmirësohet gradualisht, sipas sinoptikanëve, me një rritje të lehtë të temperaturave dhe kthjellime. Sipas Shërbimit Metereologjik Ushtarak, dita e hënë do të jetë me mot të qëndrueshëm. Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare deri në 10-20 m/s, ndërsa deti do të ketë një valëzim të forces 3-4 ballë.
©️zërionline


