Këtë mëngjes të zakonshëm pranvere, në një nga lagjet periferike të qytetit, një djalë i vogël rom, vetëm 9 vjeç, mbante në duar një çantë të re shkolle. Sot nuk do të dilte për të kërkuar lëmoshë nëpër rrugë e semaforë, nuk do të ndjente më shikimet e rënda dhe plot bezdi mbi veten e tij. Sot, për herë të parë, po shkonte në shkollë.
Quhet Ardian. Deri dje, jeta e tij ishte një rrugë e gjatë mes indiferencës dhe mbijetesës. Herë dorën e zgjatur dhe herë një kuti plastike a kartoni në dorë dhe një buzëqeshje të lodhur stampuar në fytyrë për të ngrohur zemrat e kalimtarëve dhe për t’i bindur t’i falin diçka. Por Ardiani nuk është vetëm një fëmijë që lyp. Ai është një fëmijë që ëndërron.
Sot, falë një programi social të mbështetur nga organizatat joqeveritare dhe strukturat shtetërore, ai ka një vend në një klasë të vërtetë. Ka një mësuese që i thërret me emër. Ka një bankë ku ulet si çdo fëmijë tjetër, pa u ndjerë i përjashtuar. Ka një të ardhme.
Kjo ditë, 8 prilli, Dita Botërore e Romëve, nuk është thjesht një hap i vogël për Ardianin, por një hap i madh për gjithë komunitetin rom në Shqipëri. Është një kujtesë se fëmijët nuk lindin me fatin e shkruar mbi ballë. Është shoqëria ajo që ua shkruan fatin përmes mundësive, përfshirjes dhe dashurisë.

“Sot për herë të parë, ai nuk kërkoi lëmoshë, por dituri,” – thotë një nga punonjëset sociale që ka ndjekur historinë e Ardianit nga afër. “Dhe kjo është fitore për të gjithë ne.”
Historia e Ardianit nuk duhet të mbetet unike. Ajo duhet të na frymëzojë që të besojmë tek mundësia për ndryshim. Sepse çdo fëmijë meriton të zgjohet një mëngjes me ndjesinë se i përket një bote që e pranon dhe e pret. Dhe çdo fëmijë, pa përjashtim, ka të drejtën të jetojë një jetë ndryshe nga rruga. Një jetë që fillon me një çantë shkolle dhe një derë të hapur.
Në fakt kështu duhet të jetë. Për të gjithë fëmijët rom dhe jo vetëm. Edhe për Ardianin.
Gjithçka më sipër ishte thjesht një ëndërr. Ai fatkeqësisht edhe sot do të vazhdojë të qëndrojë në rrugë, sepse shoqëria është përjashtuese për të. Angazhimi i strukturave shtetërore për arsimin e detyruar nuk po funksionon. Hallkat e një mekanizmi shumëinstitucional që mund ta bëjnë realitet këtë gjithashtu janë këputur prej kohësh. Familja e nxjerr në rrugë, ashtu si dikur gjyshërit nxirrnin prindërit e tij për të fituar bukën e gojës. OJF-të nuk ofrojnë mbështetje afatgjatë. Edhe kur kanë projekte ato janë të kufizuara në kohë, ndaj Ai do të vazhdojë të endet rrugëve me buzëqeshjen e lodhur. Duke shpresuar se mbase një ditë ëndrra do të realizohet, po deri atëherë do të ketë kaluar kohë dhe do të jetë bërë vetë prind.
Një cikël i mbyllur?! Mbase jo, Ardiani dhe pse i vogël e ka një ëndërr dhe atë do të dojë ta realizojë te fëmijët e vet, nëse mosha atij vetë nuk do t’ia lejojë.
©️zërionline


