Për herë të parë në historinë e saj, Giro d’Italia, një nga tre garat më të rëndësishme të çiklizmit botëror, nis rrugëtimin nga Durrësi. Në datën 9 maj, edicioni i 108-të i kësaj gare madhështore do të ngrejë siparin pikërisht nga bregdeti shqiptar, duke kthyer vendin tonë në epiqendrën e sportit europian.

Etapa e parë, me gjatësi 160 kilometra, do të lidh Durrësin me Tiranën, ndërsa mijëra sportdashës pritet të mbushin rrugët për të përshëndetur çiklistët më të mirë në botë. Starti zyrtar është parashikuar për në 13:10, dhe atmosfera në qytetin bregdetar është e ngarkuar me emocion, krenari dhe entuziazëm.

Gara do të vijojë më 10 maj me një kronometër individual 13.7 km brenda Tiranës, dhe më pas, më 11 maj, çiklistët do të sfidojnë veten në etapat malore të jugut, duke përfshirë edhe Qafën e Llogarasë, në një itinerar sfidues prej 160 km në zonën e Vlorës.
Kjo prani e Giro-s në Shqipëri është një ngjarje historike jo vetëm për sportin, por edhe për promovimin e vendit si një destinacion europian i rëndësishëm turistik dhe kulturor. Pamjet nga brigjet shqiptare, malet, dhe qytetet historike do të transmetohen në miliona ekrane në të gjithë botën përmes Rai, Discovery+ dhe Eurosport, që do të japin mbulim të plotë të çdo etape.

Pas Shqipërisë, gara do të zhvendoset në Itali, ku do të zhvillohen etapat ikonike si Lucca–Pisa, ngjitjet epike në Mortirolo dhe Colle delle Finestre, për të përfunduar më 1 qershor, pas 21 etapash dhe 3,443.3 kilometrash.
Për Shqipërinë, kjo nuk është vetëm një garë. Është një hap përpara në hartën ndërkombëtare të sportit dhe turizmit, një dëshmi që vendi ynë është gati të mirëpresë ngjarje të përmasave botërore.
Etapat dhe transmetimi
Giro d’Italia 2025 është planifikuar të zhvillohet nga data 9 maj deri më 1 qershor, duke përshkuar një distancë totale prej 3,443.3 kilometrash në 21 etapa. Ja një përmbledhje e etapave kryesore dhe ngjarjeve:
Etapa 1: Durrës – Tiranë: 9 maj, 160 km, me nisje në orën 13:10
Etapa 2: Tiranë – Tiranë: 10 maj, 13.7 km kronometër individual, me nisje në orën 13:30
Etapa 3: Vlorë – Vlorë: 11 maj, 160 km, përfshin kalimin nga Qafa e Llogarasë, me nisje në orën 13:15
Etapa të tjera të veçanta përfshijnë:
Etapa 10: Lucca – Pisa: 20 maj, 28.6 km kronometër individual
Etapa 17: San Michele all’Adige – Bormio: 28 maj, përfshin Passo del Tonale dhe Mortirolo
Etapa 19: Biella – Champoluc: 30 maj, me ngjitjet në Col Tzecore, Col Saint-Pantaléon dhe Col de Joux
Etapa 20: Verrès – Sestrière: 31 maj, përfshin Colle delle Finestre
Giro d’Italia 2025 do të transmetohet nga:
Rai: me emisionin “Giro Mattina”, të drejtuar nga Tommaso Mecarozzi, Daniele Bennati dhe Davide Cassani
Discovery+/Eurosport: me transmetim të drejtpërdrejtë të të gjitha etapave.
©️zërionline


