Kur dhembja kthehet në spektakël

Date:

Share post:

Vali Qyrfyçi

Nuk i shpëtova, as këtë mëngjes herët, zakonit të kontrollit të celularit sa hap sytë. Tre mesazhe të palexuara, dërguar natën e kaluar:

  1. “Ua, po e sheh?! Nëna e njërit prej kalamajve po flet në TV.”
  2. “S’i marr vesh këta prindër që flasin në TV…”
  3. “Nuk të thamë se e dinim në çfarë gjendje ishin… por paskan folur këta…”
    Tre mesazhe, tre reagime që vijnë nga këndvështrime të ndryshme. Dy të parat krejt njerëzore, instinktive. Tjetra më profesionale, por që në thelb nënkupton “nëse ata folën diku tjetër, pse të mos i kishim intervistuar edhe ne?”
    Këtu nis problemi. Këtu nis dilema.
    Nuk është më vetëm pyetja pse një prind në dhembje pranon të flasë, po është presioni i heshtur mbi gazetarin/en, që, për të mos mbetur pas, duhet të bëjë të njëjtën gjë.
    Në këtë moment, lajmi nuk është më vetëm informim. Bëhet garë dhe kufiri mes të drejtës për të treguar dhe detyrës për t’u ndalur e respektuar kufijtë njerëzorë bëhet shumë më i paqartë.
    Në ditën më të rëndë për një familje (mos gabofsha nuk mund të ketë tjetër), ditën kur përcillet për në banesën e fundit një fëmijë, kamera hyn në shtëpi. Mikrofoni afrohet. Pyetjet nisin. Nëna flet. Flet edhe halla dhe publiku dëgjon, në kohë reale, detaje të një dhembjeje që nuk ka ende fjalë.
    Por a ka një kufi që nuk duhet kaluar? Sepse një intervistë e marrë “live” nga brenda një banese në zi, në momentin më delikat, më të brishtë të familjarëve, nuk është më thjesht raportim. Nuk di ç’emër t’i vë, sepse argumenti “për interesin publik”, që përdoret jo rrallë për të justifikuar gjithçka, nuk vlen. Ku qëndron ky interes kur një nënë, që sapo ka humbur fëmijën, rrëfen skena makabre që i janë ngulitur në mendje?! Çfarë informimi i ofrohet publikut, përtej tronditjes së fortë dhe kureshtjes?
    Media informon, por edhe vendos kufij. Ka një vijë të hollë mes dëshmisë dhe ekspozimit. Mes empatisë dhe shfrytëzimit emocional. Kur kjo vijë kalohet, dhembja rrezikon të kthehet në produkt klikimesh.
    Edhe familjarët, në ato momente, nuk janë gjithmonë në gjendje të vendosin. Shoku, dhembja, presioni i situatës, të gjitha ndikojnë. Pranimi për të folur nuk është gjithmonë baraz me një zgjedhje të lirë dhe të vetëdijshme. Prandaj përgjegjësia bie më shumë mbi redaksitë.
    Respekti për dhembjen nuk matet vetëm me fjalë ngushëllimi nga ekrani, por me mënyrën se si vendos të mos hysh më tej. Të mos bësh pyetjen që nuk duhet bërë. Të mos kërkosh detajin që nuk duhet thënë. Të mos ndezësh kamerën aty ku duhet heshtje, sepse ka momente kur lajmi duhet të qëndrojë pas dere dhe kjo nuk e bën më pak gazetarinë nuk e zhvesh nga roli i saj. Përkundrazi e bën më njerëzore.
    Fakti që nëna e një prej fëmijëve pranoi të flasë para kamerës, e filmuar me kurriz e bën situatën më të ndërlikuar.
    Po, ishte një zgjedhje e saj, por a mjafton kjo për ta konsideruar të drejtë? Mbi të gjitha, a duhet që dhimbja e një familjeje në ditën e varrimit të kthehet në përmbajtje “live”?
    Në gazetari, jo çdo gjë që lejohet është e drejtë. Kur një familje është në kulmin e dhembjes, aftësia për të reaguar dhe vendosur qartë është padyshim e kufizuar. Pranimi për të folur nuk është gjithmonë një “po” e vendosur me bindje, një “po” e lirë, por shpesh një reagim i ndikuar nga shoku, nga dëshira për të treguar tmerrin, apo edhe nga këmbëngulja e intervistuesit/es. Dhe ne gazetarët e terrenit, e dimë më mirë se kushdo tjetër këtë.
    E teksa dikush nxiton ta thyejë këtë, për të arritur i pari tek dhembja, krijohet një tjetër problem që nuk ka nisur tani, me këtë rast, në fakt.
    Krijohet presioni mbi mediat e tjera. Më konkretisht, ky presion bie mbi gazetarët e terrenit, por nuk duhet të jetë i tyre, ata janë më pranë komunitetit dhe dhembjes, ndaj kufijtë nëse kalohen, i vendos redaksia, jo terreni.
    Kur një televizion hyn brenda një shtëpie në zi dhe transmeton intervista të rënda si ajo e nënës, të tjerët përballen me dilemën e vështirë, të ndjekin të njëjtën rrugë për të mos “mbetur pas”, apo të ruajnë një standard tjetër etik dhe të humbasin terren tek audiencë.
    Ndoshta nuk ka as dilemë për disa dhe raste si këto të zhveshin menjëherë nga njerëzorja, të fusin në petkun e pozicionit redaksional.
    Çdo ditë e më shumë, kjo garë mediatike rrezikon të rrëshqasë nga informimi te spektakli, duke dhunuar edhe respektin për dhembjen, vlerat, njerëzoren, sepse thelbi nuk është nëse prindi foli, apo jo, nëse u shfaq me fytyrë apo jo, por a ka vend për kamera në këtë moment? A ka nevojë publiku për ato detaje që nuk i shërbejnë askujt, përveç goditjes dhe tronditjes, më tej, me një tjetër valë masive të dhembjes që na ka drithëruar zemrën e trupin prej më shumë se dy ditësh?!
    Respekti për dhimbjen nuk është vetëm formë, por edhe përmbajtje. Nuk mjafton të fshehësh fytyrën.
    Ka një pyetje që çdo redaksi duhet t’ia bëjë vetes.
    Jo “a mund ta bëjmë?”, sepse gjithnjë dikush, përmes njohjes, lidhjeve të tjera apo “guximit” do të mundet, por “A DUHET TA BËJMË?”.
    Ndonjëherë, zgjedhja për të mos transmetuar është forma më e lartë e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë.
    Ka gjithmonë një moment të dytë për të rrëfyer gjëmën nga zemra dhe goja e nënës.
    Prehuni në paqe, engjëj!

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Homazhe dhe protestë në heshtje para Bashkisë, Nesër protestohet sërish

Një grup banorësh të lagjes 15 në Durrës, të zonës ku ndodhi edhe aksidenti tragjik, janë mbledhur mbrëmjen...

I ati i vrau të ëmën, ai e goditi dhe e la të vdekur/ Gjykata e Sarandës e dënon me 3 vite burg

Policia e Sarandës ka bërë sot ekzekutimin e vendimit duke arrestuar shtetasin Klementin Islamaj 43 vjeç banor i...

“Makina përfundoi në trotuar”/ Zbardhet dëshmia e shoferit që në gjendje të dehur përplasi për vdekje fëmijët

Gjykata e Durrësit ka lënë arrest në burg 57-vjeçarin Nikoll Radaçi i cili në gjendje të hequr përplasi...

“Më çmend sonte ose…”/ Akuzoi shqiptaren se e kishte kthyer në skllav seksual, indiani gënjeu dhe për vdekjen e babait për të përfituar

Lajmi se shqiptarja Lorna Hajdini, një nga drejtueset e bankës “JPMorgan Chase”, kishte ngacmuar dhe detyruar një punonjës...