Një operacion emergjent detar u zhvillua gjatë natës nga Kapiteneria e Portit të Durrësit, pas një thirrjeje për ndihmë nga kroçiera “Marbella Explorer II”.
Rreth orës 23:50, anija që po lundronte nga Korfuzi drejt Kotorrit sinjalizoi autoritetet shqiptare për një shtetas anglez në bord, i cili paraqiste simptoma të rënda shëndetësore duke e vënë në rrezik jetën e tij. Rezultoi se i sëmuri kishte një hernie akute ventrale dhe për pasojë nevojë për ndërhyrje urgjente mjekësore. Në momentin e njoftimit, kroçiera ndodhej rreth 20 milje larg Durrësit, në ujëra ndërkombëtare.
Menjëherë pas alarmit, Kapiteneria e Portit Durrës udhëzoi afrimin e kroçierës në radë dhe vuri në lëvizje strukturat e emergjencës. Në operacion u angazhua mjeti “Joni” i ASHD-së, së bashku me ekuipazhin, oficerët dhe Kapitenin e Portit Durrës, ndërsa ambulanca priti në port për transportimin e pacientit drejt Spitalit Rajonal të Durrësit.
Rreth orës 02:30, shtetasi anglez me inicialet C.P. mbërriti në spital ku nën kujdesin e mjekëve mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
©ZëriOnline


