Një prej emrave më të kërkuar të dosjes së madhe të kokainës është vënë në pranga. Salvatore alias Shpëtim Aliu është arrestuar në Rusi, duke i dhënë fund arratisë së një prej personave që SPAK e vendos në qendër të rrjetit të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Aliu ishte mes personave ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”. Kur SPAK goditi rrjetin në qershor, vetëm Florjan Musaj përfundoi në pranga, ndërsa pjesa tjetër e personave të kërkuar ndodheshin jashtë Shqipërisë.
Dosja që rëndon mbi Shpëtim Aliun është një prej hetimeve më të mëdha të viteve të fundit për trafikun e kokainës. Sipas të dhënave të hetimit, rrjeti dyshohet se ka operuar gjatë viteve 2019–2021, me aktivitet që shtrihej nga Amerika Latine drejt Belgjikës dhe Holandës. SPAK dyshon se gjatë kësaj periudhe janë trafikuar të paktën 50 tonë kokainë. Hetimi është mbështetur edhe te të dhënat e platformës së enkriptuar SKY ECC dhe në bashkëpunimin me agjenci e autoritete të huaja.
Pikërisht komunikimet e SKY ECC kanë zbuluar për hetuesit përmasat financiare të aktivitetit të dyshuar të grupit dhe mënyrat e përdorura për administrimin e sasive të mëdha të parave cash.
Në komunikimet e gushtit 2020 mes Shpëtim Aliut dhe vëllait të tij, Isa Aliu, flitet për miliona euro cash dhe për investimin e parave në Shqipëri. Sipas materialeve të dosjes të raportuara në media, SPAK dyshon se Isa Aliu kishte rol të rëndësishëm në qarkullimin dhe investimin e parave që dyshohet se vinin nga trafiku ndërkombëtar i kokainës.
Hetuesit kanë ngritur dyshime se Shpëtim Aliu i ka kaluar vëllait të tij shuma shumë të mëdha parash, të cilat më pas janë kanalizuar kryesisht drejt sektorit të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Dosja përmban edhe komunikime për mënyrat e fshehjes së cash-it, deri te përdorimi i fuçive dhe groposja e parave, ndërsa hetimi ka dokumentuar një skemë shumë më të gjerë investimesh në ekonomi.
491 pasuri dhe 209 llogari bankare
Goditja financiare ndaj rrjetit ka qenë po aq e madhe sa vetë përmasat e trafikut të dyshuar.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi 491 pasuri, të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë të përllogaritur rreth 150 milionë euro. Në listën e aseteve të sekuestruara përfshihen kompani, apartamente, vila, njësi tregtare, automjete, mjete lundruese dhe prona të tjera. Nën sekuestro janë vendosur gjithashtu 209 llogari bankare.
Hetimi ka evidentuar investime në ndërtim, turizëm dhe tregti, ndërsa SPAK dyshon se ekonomia formale përdorej për të futur në qarkullim paratë e ardhura nga aktiviteti kriminal.
Sipas hetimit, rrjeti funksiononte me role të ndara për sigurimin e kokainës, transportin, logjistikën, financat dhe më pas investimin e fitimeve. Autoritetet kanë dokumentuar episode trafikimi nga Amerika Latine drejt Europës dhe sekuestrime të sasive të mëdha të kokainës në disa shtete.
Shpëtim Aliu, i njohur edhe si Salvatore, si dhe me disa nofka të tjera në komunikimet e hetuara, është përshkruar në dosjen e raportuar nga mediat si një hallkë furnizuese e grupeve shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Në të njëjtën dosje shfaqen edhe emra si Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika, të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të SPAK.
Arrestimi i tij në Rusi hap tashmë fazën e procedurave që lidhen me sjelljen e tij përpara drejtësisë shqiptare, ndërsa dosja e SPAK vijon të ketë në qendër jo vetëm trafikun e dyshuar të dhjetëra tonëve kokainë, por edhe gjurmimin e qindra milionë eurove që dyshohet se janë prodhuar nga aktiviteti kriminal dhe më pas janë futur në ekonomi.
©ZëriOnline


