Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të ndodhur në Shkozë, në rrugën “Hulo Hajderi”.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuar për ngjarjen është një 43-vjeçar, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj një 45-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, ndërsa i plagosuri ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë nisur veprimet hetimore, duke bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar.
Policia njofton se vijojnë kontrollet intensive për kapjen e 43-vjeçarit, si dhe puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Plagosi me armë zjarri një shtetas, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e tij. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit se në Shkozë, në rrugën “Hulo Hajderi”, një shtetas kishte plagosur me armë zjarri shtetasin D. L., rreth 45 vjeç, organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit E. Q., rreth 43 vjeç, i cili, pas një konflikti për motive të dobëta, rreth orës 22:00, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin D. L. Ky i fundit ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Vijon puna intensive për kapjen e 43-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rastit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.
©ZëriOnline


