Katër gjimnazistë të shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës janë lënë të lirë nga policia malazeze, pas një incidenti të ndodhur gjatë ekskursionit turistik në Mal të Zi. Nxënësit kanë kaluar natën në ambientet e policisë së Kotorrit, ndërsa pak para mesditës së sotme janë liruar për të vijuar nisjen drejt Durrësit, së bashku me pjesën tjetër të grupit.
Sipas informacioneve, incidenti ka ndodhur pasditen e djeshme, teksa nxënësit po lëviznin në grup. Një grua e moshuar vendase i ka pyetur se nga vinin. Të rinjtë i janë përgjigjur duke formuar shqiponjën me duar dhe kanë qeshur. Situata është tensionuar.
Gruaja dyshohet se ka goditur me shuplakë njërin prej nxënësve, përpara se të njoftonte policinë, duke pretenduar se ishte provokuar prej shqiptarëve. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, katër gjimnazistët janë shoqëruar në polici, ku kanë qëndruar gjatë natës.
Njëra prej dy mësueseve shoqëruese ka qëndruar pranë tyre në ambientet e policisë, për t’u ofruar mbështetje.
Nxënësit janë liruar me kushtin që të mos përsërisin veprime të tilla me simbole kombëtare, sipas informacioneve paraprake.
Për incidentin janë vënë në dijeni dhe institucionet e arsimit në nivel vendor e qendror, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar (DRAP) Durrës dhe Ministria e Arsimit. Pas lirimit të katër bashkëmoshatarëve, grupi i nxënësve ka vijuar udhëtimin e kthimit drejt Durrësit.


