Sulm kibernetik ndaj Kuvendit: rikthehet kërcënimi nga hakerat iranianë, rritet rrezikut digjital

Date:

Share post:

Administrata e Kuvendit të Shqipërisë u përball këtë të marte me një sulm kibernetik që preku sistemin e postës elektronike të institucionit. Për disa orë me radhë, deputetët, punonjësit e administratës dhe stafet e tyre nuk kanë mundur të aksesojnë adresat e brendshme të email-it, duke paralizuar përkohësisht një nga kanalet kryesore të komunikimit institucional.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike konfirmoi se bëhet fjalë për një sulm kibernetik dhe njoftoi se ekipet e specializuara janë angazhuar për të analizuar situatën dhe për të vlerësuar shkallën e dëmit të mundshëm.

“Gjatë ditës së sotme është raportuar një sulm kibernetik që lidhet me postën elektronike të Kuvendit të Shqipërisë. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ngritur grupin e punës për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike, si dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm lidhur me këtë situatë”, bëhet me dije në reagimin zyrtar të institucionit.

Sipas AKSK-së, më shumë detaje pritet të bëhen publike pasi të përfundojë analiza teknike e sistemit dhe të vlerësohet nëse është komprometuar ndonjë e dhënë sensitive.

Lufta digjitale

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi i hakerave iranianë “Homeland Justice”, një emër tashmë i njohur për autoritetet shqiptare. Në një mesazh në platformën Telegram, grupimi pretendon se ka arritur të sigurojë korrespondencën e brendshme të Kuvendit për muajt e fundit.

Në deklaratën e tyre, hakerat përdorin një gjuhë kërcënuese dhe politike, duke pretenduar se disponojnë komunikime të brendshme të deputetëve dhe duke akuzuar autoritetet shqiptare për lidhje me organizata që Irani i konsideron armiqësore.

Edhe pse këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet shqiptare, fakti që një grup i njohur për sulme të mëparshme ka marrë përgjegjësinë për incidentin e fundit, rrit shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës digjitale të shtetit.

Një përplasje që vazhdon prej vitesh

Ky nuk është rasti i parë kur Shqipëria përballet me sulme kibernetike. Në korrik të vitit 2022, disa grupe të sofistikuara hakerash iranian ndërmorën një sulm të gjerë ndaj shërbimeve online të qeverisë shqiptare. Sulmi paralizoi përkohësisht një pjesë të sistemeve publike dhe u konsiderua një nga incidentet më serioze të sigurisë kibernetike në vend.

Pas këtij episodi, marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit u përkeqësuan ndjeshëm, ndërsa Tirana zyrtare vendosi edhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin.

Megjithatë, aktiviteti i grupeve të lidhura me Iranin në hapësirën digjitale shqiptare duket se nuk është ndalur. Sulmet e grupit “Homeland Justice” janë regjistruar edhe në vitin 2023 ndaj institucioneve shtetërore, ndërsa në vitin 2024 një tjetër incident preku sistemet e INSTAT.

Sfida e sigurisë kibernetike për institucionet shqiptare

Sulmi i fundit ndaj Kuvendit dëshmon një nga sfidat më të mëdha të shtetit shqiptar sot në botën digjitale: mbrojtjen e sistemeve nga sulmet kibernetike. Institucionet shtetërore, të cilat gjithnjë e më shumë mbështeten në komunikimin elektronik dhe databazat digjitale, mbeten objektiva të ndjeshme për aktorë të huaj apo grupe të organizuara hakerash.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se sulmet e tilla nuk synojnë vetëm dëmtimin teknik të sistemeve, por shpesh kanë edhe një dimension politik dhe psikologjik, duke synuar të krijojnë pasiguri, të komprometojnë informacionet dhe të dëmtojnë besimin e publikut tek institucionet.

Ndërkohë, hetimi teknik për incidentin e fundit vijon, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë nëse sistemi i postës elektronike të Kuvendit është komprometuar realisht dhe nëse ndonjë informacion i brendshëm ka rënë në duar të paautorizuara.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Të shtëna me armë pas mesnate në Tiranë, plagoset rëndë një person 

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pas mesnatës në zonën pranë Casa Italia-s, në Tiranë. Sipas informacioneve,...

Zjarr në Fllakë, humb jetën një 25-vjeçar nga Bangladeshi

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në zonën e Fllakës, në Sektorin Rinia, ku një...

Rusia godet kompleksin e ambasadorit shqiptar në Kiev

Kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo është bërë shënjestër e sulmeve ruse. Lajmi është dhënë nga...

Rezultatet e votimit në PD/ Durrësi e Shijaku, mbështetje masive për Berishën

Ka përfunduar procesi i votimit në referendumin e votëbesimit në degët e Partisë Demokratike në Durrës dhe Shijak,...