34-vjeçari nga Elbasani, Elvis Koçi alias Elvis Çaushllari, i njohur ndryshe si Vis Korçari, është ndaluar natën e djeshme pas një operacioni të përbashkët të forcave operacionale të Tiranës dhe Komisariatit të Policisë Sarandë.

Sipas burimeve policore, efektivët e Tiranës ishin vënë në ndjekje të tij dhe e kanë lokalizuar gjatë ditës së djeshme në Ksamil. Rreth orës 22:30 është organizuar operacioni për kapjen e tij, në bashkëpunim me agjentë civilë të sektorit të Krimeve në Sarandë.
Sapo ka diktuar praninë e forcave të policisë, Çaushllari ka kryer manovra të rrezikshme me automjetin e tij, duke përplasur dy mjete civile të policisë dhe duke arritur fillimisht të arratiset.
Pas incidentit, është organizuar ndjekja e tij, ndërsa nga Saranda janë angazhuar edhe forca të FNSH-së. Pak kohë më pas, falë kërkimeve intensive, 34-vjeçari u lokalizua pranë një biznesi privat në aksin rrugor Ksamil-Butrint, ku edhe u vu në pranga.
Gjatë operacionit u sekuestrua edhe automjeti që ai përdorte, i cili rezulton të jetë në pronësi të vëllait të tij.
Ende nuk dihen zyrtarisht arsyet e ndalimit të Elvis Çaushllarit, por burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se ai kërkohej në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Çaushllari njihet si një person i përfshirë në përplasjet mes grupeve kriminale në Elbasan dhe ka precedentë penalë. Ai u arrestua në vitin 2022 nga SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, por u lirua një vit më vonë.
©ZëriOnline


