Një ndjekje policore me momente tensioni është regjistruar mesditën e sotme në qytetin e Durrësit. Gjithçka, sipas policisë, ka nisur rreth orës 12:45, në lagjen numër 14, afër tregut të makinave, kur shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit në zonë, i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti që po lëvizte me shpejtësi.
Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të Policisë. Ai ka vijuar lëvizjen, duke tentuar t’u shmanget efektivëve. Gjatë largimit, automjeti ka përplasur pesë mjete të parkuara e në lëvizje përgjatë rrugës pranë tregut të fruta-perimeve, duke shkaktuar dëme materiale, fatmirësisht pa persona të lënduar, pasi rruga ka qarkullim të lartë dhe të dendur.
Pas përplasjeve, drejtuesi ka braktisur automjetin Benz dhe është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Menjëherë pas incidentit, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij, ndërsa kontrollet në terren vijojnë për lokalizimin dhe kapjen e personit.
Nga verifikimet e para hetimore ka rezultuar se bëhet fjalë për shtetasin Regi Xhanari, 31 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Sipas Policisë, ai kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, e cila ishte vendosur ndaj tij në kuadër të një procedimi për veprën penale “Mashtrimi”.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa Policia mbetet në kërkim të të riut për ta vënë përpara përgjegjësisë ligjore.
©ZëriOnline


