Pesë shtetas shqiptarë, gra dhe fëmijë, janë riatdhesuar nga Siria pas përfundimit të një operacioni të koordinuar mes institucioneve shqiptare dhe autoriteteve të huaja.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur se operacioni për kthimin vullnetar të tyre përfundoi më 26 gusht 2026, pas një procesi të gjatë që përfshiu institucionet shqiptare, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, si dhe autoritetet e vendeve të përfshira.
Pas mbërritjes në Shqipëri, pesë të riatdhesuarit do t’u nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe vlerësimeve psikosociale. Gjithashtu, institucionet përgjegjëse do të kujdesen për akomodimin e tyre dhe do të vijojnë procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit në shoqëri.
Ministria e Jashtme thekson se kthimi i shtetasve nga zonat e prekura nga konflikti është pjesë e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të tij, ndërsa procesi nuk përfundon me mbërritjen e tyre në vend.
MEPJ falënderoi institucionet shqiptare të angazhuara në operacion, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, për bashkëpunimin në përfundimin e procedurave dhe garantimin e tranzitit të sigurt.Ndërkohë, Task-Forca ndërinstitucionale do të vazhdojë të ndjekë procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të kthyer. Paralelisht, puna do të vijojë edhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Siri, në rastet kur krijohen kushtet për kthimin e tyre të sigurt.
©ZëriOnline


