Më 19 qershor, pas 3 muajve në fuqi, qeveria shpërndau bordin e Transparencës. Sot, pas 3 muajsh, kur çmimi i naftës ka arritur në 229 lekë për litër dhe benzina 219 lekë, qeveria rikthen Bordin, për të caktuar çmimet e karburantit në vend.
“Afati është deri në përfundimin e vlerësimit tonë mbi nevojën për të pasur bordin”, tha Ibrahimaj.
Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se paralelisht, do të ulet me 20% edhe akciza për karburantin sa herë që çmimi i naftës me pakicë do të kalojë 220 lekë për litër, dhe i benzinës mbi 200 lekë.
“Duke qenë se kemi marrë një vendim paraprakisht, ku sa herë çmimi të kalojë 220 lekë, ne do të aktivizojmë një mekanizëm, për reduktimin e akcizës me qëllim që çmimi të reduktohet, mekanizmi i vetëm me të cilin ne mund të aktivizonim këtë mekanizëm, ishte ringritja e bordit të Transparencës”. tha Ibrahimaj.
Me këtë reduktim vlera e akcizës në një litër naftë dhe benzinë ulet në 31.5 lekë nga 38.8 lekë që është kjo taksë.
Përveç akcizës, ulet automatikisht edhe TVSH-ja që është taksa fundore që paguhet në një litër naftë. Në tre muaj që ishte në fuqi Bordi i transparencës nga marsi deri në qershor, ndërhyri në treg 37 herë.
Gjithashtu qeveria ka miratuar edhe projektligjin për rezervën e sigurisë hidrokarbure, duke e kaluar nga privati, te shteti.
“Mbajtja e rezervës së hidrokarbureve është kur në treg ka pasiguri për produktin, apo kur produktet në treg mungojnë. Ky ligj i ri krijon detyrimin e ruajtjes së rezervës, duke e menaxhuar dhe e hedhur herë pas here në treg për të mos humbur cilësitë ekonomike”, tha ministri i Energjetikës, Enea Kakaraçi.
Rezerva e naftës duhet të garantojë për të paktën 90 ditë furnizim, ndërsa detajet e sigurimit të sasisë së naftës do të caktohen me VKM. Kjo rezervë shtetërore do të menaxhohet, administrohet, magazinohet dhe shitet nga Autoriteti për Rezervën e Sigurisë të Naftës.


