Nata në Prishtinë kaloi ndryshe. Pas mesnate, sheshi “Skënderbeu” vijoi të kishte qytetarë të mbledhur në pritje të mëngjesit dhe vendimit që do të vijë nga Haga për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rreth zjarreve u mblodhën burra e gra, të rinj e të reja, të ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës. Mes tyre kishte veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe mbështetës të ish-krerëve të UÇK-së. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues politikë të PDK-së.
Atmosfera u shoqërua gjatë gjithë natës me muzikë dhe këngë. Dikush i binte kitarës, të tjerë çiftelisë, ndërsa qytetarët këndonin së bashku. Herë dëgjohej “Mora fjalë” dhe herë këngë patriotike kushtuar ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në shesh u shpalosën edhe flamuj të UÇK-së, ndërsa të pranishmit kënduan vargje në mbështetje të ish-drejtuesve të saj.
Kafeja e ngrohtë dhe bisedat pranë zjarrit shoqëruan orët e gjata të pritjes. Disa qëndruan ulur pranë zjarreve, ndërsa të tjerë kaluan orë të tëra në këmbë.
Vëmendja është përqendruar te ora 10:00 e së mërkurës, 16 shtator, kur Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar nisjen e seancës për shqiptimin e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca është publike dhe transmetimi online do të ofrohet në shqip, anglisht dhe serbisht, me një vonesë prej 10 minutash.
Atmosfera e pritjes nuk është kufizuar vetëm në Prishtinë. Qytetarë janë mbledhur edhe në Skënderaj, në Drenicë, ndërsa orët para shpalljes së aktgjykimit po ndiqen me interes të madh.
Në Kosovë, pritja e vendimit shoqërohet me ankth dhe pasiguri për përfundimin e një procesi gjyqësor që ka zgjatur prej vitesh.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Gjykimi nisi më 3 prill 2023, ndërsa faza e paraqitjes së provave u mbyll në dhjetor 2025 dhe deklaratat përmbyllëse u zhvilluan në shkurt të këtij viti.
Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Sipas aktakuzës, veprat e pretenduara lidhen me periudhën nga të paktën marsi 1998 deri në shtator 1999. Këto janë akuza të Prokurorisë dhe aktgjykimi i shkallës së parë pritet të përcaktojë përgjegjësinë ose pafajësinë e secilit prej të akuzuarve.
Deri atëherë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, sytë mbeten nga Haga.


