25 vite për Hashim Thaçin, 25 për Jakup Krasniqin, 18 për Kadri Veselin dhe 13 për Rexhep Selimin. Verdikti i Hagës ka shkaktuar tronditje në Kosovë, protesta në Prishtinë dhe tensione pranë EULEX-it, ndërsa në Tiranë reagimet kanë qenë të menjëhershme. Por kjo nuk është ende fjala e fundit, katër ish-krerët pritet ta apelojnë vendimin. Një tjetër proces i kushtueshëm pritet të marrë jetë.

Nuk ishte vetëm një ditë gjyqi në Hagë. Pas shpalljes së dënimeve, vëmendja u zhvendos menjëherë nga salla e gjykatës në rrugët e Prishtinës dhe në protestat e zhvilluara edhe në Hagë.
ZO sjell mëposhtë një përmbledhje të asaj që ndodhi e që pritet të ndodhë.
Dhomat e Specializuara dënuan katër ish-drejtuesit e UÇK-së për krime lufte, ndërsa i shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi morën nga 25 vite burg, Kadri Veseli 18 vite dhe Rexhep Selimi 13 vite. Në total, 81 vite burgim, por ajo që po ndodh pas vendimit është një histori më vete.
Në Prishtinë, mijëra qytetarë kishin ndjekur vendimin, ndërsa reagimi pas shpalljes së dënimeve ishte i menjëhershëm. Raportimet nga terreni flasin për protesta dhe tensione pranë objekteve të EULEX-it. Pamjet nga Prishtina dhe Haga kanë treguar qytetarë me flamuj të Kosovës e Shqipërisë duke protestuar kundër vendimit.
Ambasada e Kosovës në Hagë u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë, të shmangin provokimet dhe të respektojnë rregullat e protestës, duke theksuar se dhuna nuk lejohet.
Kështu, pas një vendimi që pritej prej muajsh, çështja gjyqësore ka kaluar menjëherë në një debat shumë më të gjerë politik e shoqëror.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar vendimin një “padrejtësi të papranueshme” dhe ka deklaruar se ai duhet të ndryshohet në shkallën e apelit.
Kurti e vu theksin te fakti se gjykimi lidhet me përgjegjësinë individuale të katër të akuzuarve dhe jo me legjitimitetin e luftës së UÇK-së. Ai ka kërkuar që procesi të vazhdojë në apel dhe ka shprehur se Kosova mbështet mbrojtjen në Apel dhe mbështetje për familjet e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Edhe Tirana reagon. Vendimi ka sjellë reagime të forta edhe në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë pas shpalljes së vendimit me një mesazh të shkurtër figurativ shoqëruar me fjalën Marre, ndërsa Presidenti Bajram Begaj shprehu trishtim për dënimet dhe theksoi rëndësinë e procesit të apelit.
Ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko, gjatë viteve të luftës në Kosovë, gjithashtu ka reaguar duke e quajtur një vendim dramatik që nuk e ndryshon historinë, po do të peshojë mbi të.
Edhe lideri demokrat Sali Berisha ka thënë se këto vendime të pamerituara nuk e errësojnë aspak luftën e UÇK-së.
Reagimet nga Tirana i janë bashkuar kështu klimës së krijuar në Kosovë, ku vendimi është pritur me zhgënjim dhe protesta.
Çfarë tha realisht gjykata?
Pikërisht këtu qëndron një nga elementet më të rëndësishme të verdiktit.
Gjykata nuk i pranoi të gjitha akuzat e Prokurorisë. Katër të akuzuarit u shpallën fajtorë për katër kategori krimesh lufte: vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim/arrestim të paligjshëm ose arbitrar.
Ndërkohë, gjykata i rrëzoi akuzat për gjashtë kategori krimesh kundër njerëzimit, pasi nuk gjeti prova të mjaftueshme për elementin e kërkuar të një sulmi të përhapur ose sistematik ndaj popullsisë civile.
Ky është një prej elementeve që pritet të jetë në qendër të debatit në apel ku pritet të zhvendoset beteja e vërtetë.
Dënimet e shpallura nuk janë përfundimtare. Mbrojtja pritet të apelojë vendimin, ndërsa edhe Prokuroria mund të kundërshtojë pjesë të aktgjykimit.
Kjo hap një fazë të re të procesit: Paneli i Apelit do të shqyrtojë argumentet e palëve dhe mund të lërë në fuqi, ndryshojë ose rrëzojë pjesë të vendimit të shkallës së parë.
Pyetja që ngrihet tani nuk është më vetëm “Sa vite u dënuan?”, por a do të mbeten në fuqi dënimet e 16 shtatorit?
Dhe një tjetër pikë e rëndësishme: a do të tentojë Prokuroria të rikthejë në apel akuzat për krime kundër njerëzimit, të cilat nuk u provuan në shkallën e parë?
Ndërkombëtarët: Përgjegjësi individuale, jo gjykim i UÇK-së (?!)
Ndërsa në Kosovë dhe Shqipëri reagimet kanë qenë kryesisht politike dhe emocionale, qëndrimi i aktorëve ndërkombëtarë është fokusuar te natyra juridike e vendimit.
Mesazhi kryesor është se bëhet fjalë për përgjegjësi penale individuale dhe jo për një gjykim ndaj popullit të Kosovës apo për legjitimitetin e luftës së UÇK-së.
Edhe vetë gjykata e ka trajtuar çështjen mbi bazën e përgjegjësisë individuale të katër të akuzuarve dhe veprimeve konkrete të përfshira në aktakuzë.
Tani pritet një tjetër betejë juridike, këtë herë në shkallën e apelit, që do të zgjasë disa vite. Studiuesit e huaj shprehen se Kosova mund ta ndryshojë situatën duke ndryshuar Kushtetutën. Sipas tyre kjo situatë e krijuar mund të fuqizojë Serbinë dhe të krijojë destabilizim në rajon.
Në Kosovë pritet që vendimi të vazhdojë të jetë në qendër të debatit politik, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe shmangie të përplasjeve.
Në Hagë, procesi do të vijojë me hapat proceduralë të apelit.
Ndërkohë, një tjetër çështje që lidhet me administrimin e drejtësisë dhe pretendimet për ndikim te dëshmitarët vijon më vete në Dhomat e Specializuara.
Kështu, 16 shtatori nuk shënon fundin e çështjes Thaçi dhe të tjerët, por fundin e një etape dhe nisjen e betejës së radhës.
Verdikti u dha. Reagimet kanë nisur. Firmat për ndryshime kushtetuese po mblidhen në Kosovë, po përgjigjja përfundimtare mbi fatin juridik të katër ish-krerëve të UÇK-së do të kërkojë ende një tjetër vendim, më shumë kohë, ndërsa Kosova dhe Shqipëria duhet të reagojnë si një trup i vetëm në mbrojtje të lirisë, luftës çlirimtare, sakrificës e dinjitetit; në emër të viktimave të shumta.
©ZëriOnline


