Të zhgënjyer, por me shpresë 50 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbërritën në Portin e Durrësit, dy ditë pas shpalljes së vendimit për ish-drejtuesit e UÇK-së.

Të veshur me uniformat e UÇK-së, me flamujt kombëtarë dhe simbolet e luftës për çlirim, veteranët udhëtuan nga Haga drejt Shqipërisë, për të vijuar më pas rrugëtimin drejt Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare. Në port ata mbanin edhe pankarta me mesazhet “Liri për Çlirimtarët” dhe “Liria ka emër”.
Prej ditësh veteranët ndodheshin në Hagë, ku kishin ndjekur nga afër procesin gjyqësor. Vendimi i 16 shtatorit, që solli dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së, i gjeti ata të zhgënjyer. Dhomat e Specializuara dënuan me 25 vite burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vite Kadri Veselin dhe me 13 vite Rexhep Selimin, për krime lufte.
Gjatë ndalesës në Durrës, veteranët përcollën mbështetjen e tyre për ish-drejtuesit e UÇK-së dhe familjet e tyre, ndërsa shprehën shpresën se vendimi do të ndryshojë në Apel. Mes thirrjeve të tyre ishte edhe “O Hashim, ti ku je, UÇK-në këtu e ke”.
Kreu i grupit, Ismail Selmani, i njohur si komandant Mala, u bëri thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje dhe reagime pa tensione.
“Ne shkuam me entuziazëm të fortë në Hagë. Menduam se do ktheheshim duarplot po nuk u bë. Ne u nisëm më 12 shtator nga Prishtina. Ne jemi të gjithë luftëtarë të rezistencës dhe duam të japim një mesazh simbolik. Lufta jonë ishte luftë guerrile për të mbrojtur Kosovën. Hashim Thacci e ka ndërtuar atë vend, nuk do shkatërrim. Të ndalohen protestat sepse brenda nesh po veprojnë nëntokat e shteteve më kriminale në botë. Jo të prishim vendin ku jetojmë. Jepni frymë pozitive, edhe pse jemi të zhgënjyer”, tha Ismail Selmani i njohur si Komandant Mala.

Në deklaratën e tij, Selmani u shpreh gjithashtu se vendimi i Gjykatës Speciale, sipas tij, nuk vendosi në qendër krimet e kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës, por luftën e UÇK-së.
“Me vendimin që dha Gjykata Speciale nuk u dënuan krimet e kryera nga Serbia ndaj popullit kosovar, por u dënua lufta guerrile e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, tha komandant Mala.
Pas ndalesës në Durrës, 50 veteranët vijuan udhëtimin drejt Kosovës.
©ZëriOnline


