Një 40-vjeçar, i konsideruar nga Policia si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Peshkopi.
Gëzim Dani alias Gëzim Hidri ishte dënuar në Itali me 9 vite burg për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Sipas njoftimit të Policisë, 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Napolit, me vendimin e datës 15 nëntor 2021, e ka dënuar me 9 vite burg.
Dani është dënuar për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Sipas autoriteteve, ai ka shfrytëzuar vajza nga Europa Lindore për prostitucion në zonën e Napolit, gjatë vitit 2009.
Pas arrestimit në Peshkopi, Interpol Tirana dhe Interpol Roma po vijojnë procedurat për ekstradimin e Gëzim Danit alias Gëzim Hidri drejt Italisë, ku duhet të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane.
“Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me DVP Dibër, faza e radhës e operacionit të koduar “Fast”.
Kapet në Peshkopi, 1 shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar në Itali, me 9 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Në vijim të bashkëpunimit nëpërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Dibër, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, gjatë së cilës u kap në Peshkopi dhe u arrestua shtetasi:
-Gëzim Dani alias Gëzim Hidri, 40 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Apelit e Napolit, me vendimin e datës 15.11.2021, e ka dënuar me 9 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, sepse ka shfrytëzuar vajza nga Evropa Lindore, për prostitucion, në zonën e Napolit, në vitin 2009.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurën për ekstradimin e 40-vjeçarit, në Itali”, njofton policia.
©ZëriOnline


