Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas takimit të ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt, me kryeministrin Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada thekson se diskutimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar.
Një partneritet i fortë matet nga ajo që dy kombe arrijnë së bashku. 🇺🇸 🇦🇱
Ambasadori Eric Wendt u takua sot me Kryeministrin Edi Rama për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar.
Edhe kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale pas takimit me ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt.
“Takimi i mirëseardhjes së Ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt”, shkruan Rama, duke shoqëruar postimin me një foto nga takimi.
Pas takimit me kryeministrin Rama, ambasadori amerikan zhvilloi një takim edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Wendt mori zyrtarisht detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri të shtunën, kur i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.


