Një mbrëmje që nisi me emocionet e diplomimit dhe përfundoi me një propozim për martesë.
Klarisa Toska, 23 vjeçe, sapo mori diplomën në degën Mësuesi, Cikël i Ulët, këtë të mërkurë, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, kur mbrëmja mori një kthesë që nuk e kishte parashikuar.

“Mua s’më shpëton gjë, po ja që ndodhi.”, u shpreh ajo pas këtij momenti surprizues nga njeriu i zemrës.
Një ftesë nga moderatoret e eceremonisë e ktheu Klarisa Toskën sërish në podium, përballë mijëra diplomantëve, prindërve dhe familjarëve të tyre dhe stafit akademik.
Mes atmosferës festive dhe urimeve për përfundimin e studimeve, 33-vjeçari Benard Dani i bëri asaj propozimin për martesë. Një moment i papritur, që solli emocione të forta dhe e bëri Klarisën protagoniste të një prej momenteve më të veçanta të ceremonisë.
Ndërsa 2182 studentë festuan mbylljen e një etape të rëndësishme akademike, për Klarisën kjo mbrëmje shënoi edhe një hap tjetër në jetën e saj.
Një diplomë e shumëpritur, një propozim i papritur dhe një “po” që i dha një tjetër kuptim festës së 30 shtatorit.



