Kandidati i vetshpallur për president i Austrisë premton kthimin e armëve të Skënderbeut në Krujë

Date:

Share post:

Përpara përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut në Vjenë, aktivisti austriak Günther Fehlinger-Jahn bën një premtim për shqiptarët: nëse bëhet president i Austrisë, do t’i kthejë ato në Krujë. Ai është kandidat i vetëshpallur në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 dhe zotimin e ka publikuar në një video në rrjetet sociale.

“Si president i Austrisë, zotohem të kthej përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut në Krujë, Shqipëri, për të nderuar mbretin Skënderbe. Zotohem. O Zot, më ndihmo ta përmbush këtë zotim ndaj Skënderbeut, Austrisë dhe Shqipërisë”, shprehet ai.

Fehlinger-Jahn drejton Komitetin Austriak për Zgjerimin e NATO-s dhe është angazhuar prej vitesh për anëtarësimin e vendit të tij në aleancë. Me profesion konsulent biznesi, ai ka punuar në Bruksel dhe në Kosovë, ndërsa në vitin 2022 ndërmori një fushatë për mbledhjen e firmave kundër neutralitetit austriak dhe në mbështetje të hyrjes në NATO. Ai kërkon gjithashtu integrimin euroatlantik të Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Ukrainës.

Si përfunduan në Vjenë përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut?

Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, bashkëshortja Donika dhe djali Gjoni u vendosën në Itali. Ata morën me vete edhe përkrenaren dhe shpatën e tij. Por se ku u ruajtën dhe në duart e kujt kaluan gjatë dekadave që pasuan, nuk është dokumentuar plotësisht.

Gjurmët e tyre shfaqen më shumë se një shekull më vonë në letrat e shkëmbyera me Ferdinandin II, arkidukë i Austrisë dhe sundimtar i Tirolit. Ai ishte pjesëtar i familjes Habsburge dhe koleksiononte armë e armatura të sundimtarëve dhe komandantëve të njohur, të cilat i ruante në kështjellën Ambras, pranë Innsbruckut. 

Sipas të dhënave të përcjella nga Leo Alexander Freundlich, konsull i Shqipërisë në Austri gjatë mbretërimit të Zogut, një fisnik italian, Mario Sforza, i premtonte Ferdinandit se do t’i dërgonte armët e Skënderbeut. Në maj të vitit 1579, arkiduka e falënderonte për to.  

Në inventarin e kështjellës Ambras të vitit 1593, përkrenarja dhe dy shpata renditen nën emrin e Skënderbeut. Në Vjenë u dërguan në vitin 1806, kur koleksioni u evakuua gjatë luftërave napoleonike. Aty ruhen edhe sot: përkrenarja dhe shpata ekspozohen në kompleksin Neue Burg, si pjesë e koleksionit të Muzeut të Historisë së Artit. 

Në nëntor 2012, ato u sollën përkohësisht në Tiranë për 100-vjetorin e Pavarësisë duke iu dhënë shqiptarëve një mundësi të pashoqe për t’i parë nga afër. Për disa javë, ato u ekspozuan në Muzeun Historik Kombëtar, përpara se të ktheheshin në Austri

spot_img

Artikuj të lidhur

I armatosur përplas makinën e policisë dhe tenton të arratiset, arrestohet Edmir Xhaferri në Mamurras

Një 27-vjeçar është arrestuar në Mamurras pas një operacioni të Policisë së Lezhës, pasi u lokalizua duke lëvizur...

‘London’, ‘Kosova’ apo ‘M0N3Y’? Targat e personalizuara për herë të parë në ankand online! Për ‘7777’ nis nga 6500 euro

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka hapur për herë të parë një ankand online për...

Gjykata Elbasanit i rrëzon kërkesën për zbutjen e masës së sigurisë regjisorit Bozo

Gjykata e Elbasanit ka rrëzuar kërkesën e producentit Petri Bozo për zbutjen e masës së sigurisë nga “arrest...

Gjoba 50 mijë euro përmes kërcënimit, kapet 21-vjeçari

Policia ka zbardhur kërcënimin ndaj biznesmenit Zija Shulku, pronar i një pike karburanti në Peshkopi, duke arrestuar autorin...