Gjykata e Elbasanit ka rrëzuar kërkesën e producentit Petri Bozo për zbutjen e masës së sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitjeje”. Sipas mediave, Bozo kërkoi ndryshimin e masës me argumentin se nga 24 tetori deri më 6 nëntor duhet të ishte i pranishëm në eventin “Miss Globe” në Tajlandë, duke paraqitur në gjykatë edhe ftesat përkatëse.
Gjyqtarja Suela Lika vlerësoi se nuk ekzistojnë kushtet dhe rrethanat për ndryshimin e masës, duke lënë në fuqi “arrestin në shtëpi” ndaj producentit.
Bozo u arrestua, pasi përplasi për vdekje të miturin 7-vjeçar në aksin nacional Elbasan-Librazhd. Aksidenti tragjik ndodhi paraditen e 25 majit. 7-vjeçari po kalonte rrugën së bashku me nënën e tij, pasi kishin shoqëruar motrën në shkollë.
Pas ngjarjes Petri Bozo dëshmoi në polici se nuk e kishte vënë re fëmijën edhe pse lëvizte me shpejtësi të ulët. Sipas informacioneve bëhet me dije se familjarët e viktimës kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt me regjisorin duke theksuar se ‘aksidenti nuk ka ardhur si rezultat i një veprimi të qëllimshëm’.


