Rreth 1,800 të rinj nisin sot një kapitull të ri në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Viti akademik 2026–2027 sjell më shumë studentë se një vit më parë, zgjerim të programeve ndërkombëtare dhe investime të reja në mjediset universitare.
Pas përmbylljes së raundit të dytë të regjistrimeve, numri i studentëve të rinj në UAMD është rreth 100 më i lartë krahasuar me një vit më parë. Në total, universiteti numëron rreth 17,500 studentë në të gjitha ciklet e studimit, nga programet profesionale dyvjeçare te Bachelor, Master dhe Doktoraturë.
Ajo që po ndryshon gradualisht është edhe profili i zgjedhjeve të studentëve. Infermieria,Administrim Biznesi dhe Financë-Kontabilitet mbeten ndër programet më të kërkuara, ndërsa interesi po përqendrohet gjithnjë e më shumë te degët që lidhen drejtpërdrejt me tregun e punës dhe ofrojnë mundësi për punësim e zhvillim profesional.
Një tjetër drejtim ku universiteti synon të bëjë diferencën është ndërkombëtarizimi. Rreth 67 studentë të huaj janë regjistruar ose janë në proces regjistrimi për këtë vit akademik, duke sjellë në auditorët e UAMD-së studentë nga vende të ndryshme.
Ndërkohë, numri i programeve që ofrojnë diploma duale pritet të kalojë në 20. Studentët do të kenë kështu më shumë mundësi për të ndjekur programe të përbashkëta me universitete partnere ndërkombëtare dhe për të marrë një formim me orientim evropian.
Një risi tjetër lidhet me turizmin, një prej sektorëve ku Durrësi ka nevojë të vazhdueshme për profesionistë të kualifikuar. Programi profesional dyvjeçar “Guidë Turistike” është miratuar nga ministria përgjegjëse dhe synon ta lidhë më drejtpërdrejt formimin universitar me njohjen profesionale dhe licencimin e guidave turistike.
Viti i ri akademik nuk sjell vetëm programe të reja.
Studentët do të kenë në dispozicion edhe ambiente të reja. Godina e re e Fakultetit të Studimeve Profesionale, një investim i Qeverisë Shqiptare, përmban 26 auditorë, 21 laboratorë, bibliotekë, sallë konferencash, 33 zyra, palestër dhe ambiente për aktivitete fizike.
Po ashtu, universiteti po zgjeron hapësirat sportive dhe rekreative, me terrene për basketboll, volejboll dhe minifutboll, ndërsa është parashikuar edhe një bibliotekë me 200 vende dhe kënde studentore pranë fakulteteve.
Megjithatë, përtej ambienteve të reja, mbeten dy çështje që prekin drejtpërdrejt përditshmërinë e studentëve: akomodimi dhe transporti.
Studentët që vijnë nga qytete të tjera, veçanërisht ata që udhëtojnë çdo ditë nga Tirana drejt kampusit në Spitallë, përballen me vështirësi në lëvizje. Për këtë arsye, një prej objektivave të universitetit është krijimi i një linje direkte Tiranë-UAMD, që do ta bënte më të lehtë aksesin në kampus.
Ndërsa për akomodimin, pritshmëritë lidhen me zhvillimin e Kampusit të Ri Universitar, një projekt afatgjatë që synon të përfshijë jo vetëm hapësirat akademike dhe laboratorët, por edhe ambiente rezidenciale për studentët.
Kështu nis viti i ri akademik në UAMD. Me më shumë studentë, më shumë programe me orientim ndërkombëtar dhe investime të reja, por edhe me sfidën për ta bërë jetën universitare më të aksesueshme dhe më të lidhur me nevojat reale të të rinjve dhe tregut të punës.
L.B.
©ZëriOnline


