Prej orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, parkimi me pagesë ka nisur të zbatohet në rrugët dhe sheshet kryesore të Durrësit.
Pagesa në rrugët e zonave të administrimit A dhe B do të aplikohet nga ora 08:00 deri në 16:00, ndërsa tarifimi përfshin edhe tre sheshe parkimi, te “Jorgji Ziu” pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, sheshin pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” dhe atë pranë shëtitores “Taulantia”.
Në një dalje për mediat, drejtori i Policisë Bashkiake, Flamur Gjuzi, tha se nisma është pritur me mirëkuptim nga qytetarët. Sipas tij, për automjetet që kanë qëndruar prej kohësh në rrugët dhe sheshet kryesore janë vendosur fillimisht masa administrative minimale, ndërsa në ditët në vijim pronarët do të përballen me gjoba deri në 20 mijë lekë të reja.

Problematikat e konstatuara në tre sheshet me parkim me pagesë, sipas Policisë Bashkiake, janë zgjidhur. Në këto pika pagesa mund të kryhet vetëm përmes kartës bankare.
Ndërkohë, efektivët e Policisë Bashkiake do të jenë të pranishëm në rrugët kryesore, në distancae prej rreth 500 metrash pranë zonave të parkimit, për të informuar dhe asistuar qytetarët lidhur me mënyrën e pagesës përmes telefonit celular.
Një tjetër masë pritet të ndërmerret në fund të këtij muaji, kur Policia Bashkiake do të pajiset me karrotrec për largimin e automjeteve të braktisura prej vitesh. Aktualisht, në të gjithë territorin e Durrësit ka më shumë se 500 mjete të braktisura.
©ZëriOnline


