Banorët që preken nga projekti TID ne Durrës kanë protestuar sërish sot para Bashkisë së Durrësit, ne prag të mbledhjes së Këshillit Bashkiak.
Protesta është përshkallëzuar teksa qytetarët kanë nisur të qëllojnë me vezë drejt godinës së Bashkisë, ndërsa publikisht nga sheshi u janë drejtuar këshilltarëve bashkiakë të bojkotojnë mbledhjen.
Protestuesit kërkojnë shfuqizimin e projektit dhe transparencë për procedurat që po ndjekin institucionet përgjegjëse, veçanërisht sa i përket pronave të prekura nga ndërhyrja. Ata thonë se rreth tre javë më parë i janë drejtuar Bashkisë së Durrësit me kërkesë për informacion mbi projektin dhe pronat që preken prej tij, por ende nuk kanë marrë përgjigje.

Ndërkohë, në kuadër të procesit gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Administrative të Tiranës, është kërkuar edhe pjesëmarrja e drejtoreshës së Drejtorisë Juridike të Bashkisë Durrës, Almeida Rroshi.
Gjatë protestës, banorët kanë vendosur pankarta me mesazhe kundër projektit, ku ndër të tjera shkruhet: “Po na hidhni nga banesat tona në rrugë”, “Emiriana Sako, ndalo shpronësimet! Mos shto veprat penale!”, “Mos e prek Durrësin!”, “AADF mos prekni trashëgiminë!”, “S’na keni informuar, ju gënjeni” etj.
Mbledhja e KB vazhdon.
©ZëriOnline


