Ish-presidenti i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), August Hanning, është arrestuar këtë të martë nën dyshimin për spiunazh dhe vepra të tjera të rënda që lidhen me informacionin e klasifikuar shtetëror.

80-vjeçari, i cili drejtoi BND-në nga viti 1998 deri në vitin 2005, u arrestua në banesën e tij pas ekzekutimit të një urdhër-arresti nga autoritetet gjermane. Prokuroria Federale e dyshon për spiunazh në dëm të shtetit, marrje të sekreteve shtetërore, tentativë për tradhti dhe veprimtari si agjent i një shërbimi inteligjent.
Në të njëjtën kohë është arrestuar edhe një ish-zyrtar i lartë i BND-së, i identifikuar si Manfred D., i cili dyshohet se ka ndihmuar Hanningun në marrjen e informacionit të klasifikuar. Manfred D. ka qenë shef i stafit të Hanningut dhe më pas ka vazhduar të mbajë poste drejtuese në BND deri në vitin 2026.
Sipas Prokurorisë Federale, dyshohet se që prej vitit 2010 Manfred D. i ka siguruar Hanningut, kundrejt pagesës, rreth 2 mijë dokumente dhe informacione, një pjesë e konsiderueshme e të cilave ishin të klasifikuara dhe të destinuara për përdorim të brendshëm nga shërbimi gjerman i inteligjencës.
Hetuesit dyshojnë se Hanning i ka përdorur këto materiale në kuadër të aktivitetit të tij privat si konsulent sigurie. Në të paktën një rast, ai dyshohet se ka përgatitur një analizë për një zyrtar të një shërbimi të huaj inteligjence, duke u bazuar në informacionet e siguruara në mënyrë të paligjshme. Autoritetet po hetojnë gjithashtu nëse të dhënat e klasifikuara kanë përfunduar te fuqi të huaja.
Deri tani nuk është bërë e ditur se cilit shtet të huaj mund t’i jetë përcjellë informacioni. Burime të cituara nga mediat gjermane kanë raportuar se hetimi nuk lidhet me Rusinë, por Prokuroria Federale nuk ka identifikuar publikisht asnjë shtet.
Hetimi ndaj Hanningut duket se është zbuluar në kuadër të një çështjeje tjetër. Gjatë një kontrolli të kryer në pronat e tij në vitin 2025, në lidhje me hetimet për rastin e biznesmenes gjermane Christina Block, autoritetet gjetën materiale që çuan në hetimin për rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara të BND-së.
Hetimet janë në zhvillim, ndërsa autoritetet gjermane kanë kryer kontrolle edhe në disa zona të tjera të vendit. BND dhe vetë Hanning nuk kanë dhënë deri tani një koment publik mbi akuzat.
©ZëriOnline


