Tommaso Torri
Prokurorja Sara Posa ka urdhëruar autopsinë e trupit të Saim Myrtajt, muratorit 59-vjeçar shqiptar që vdiq të hënën pasdite pas një aksidenti të rëndë në punë. Ekzaminimi pritet të sqarojë nëse viktima, i cili ra nga një skelë e ngritur në kantierin e një pallati në rrugën Coletti në Rimini, para se të binte ishte goditur nga ndonjë sëmundje e papritur apo nëse bëhej fjalë për një fatalitet tragjik.

Prokuroria ka hapur një hetim ndaj personave të panjohur, me akuzën e vrasjes nga pakujdesia, për të kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe, veçanërisht, për të kuptuar pse Myrtaj ndodhej i vetëm në nivelin e tretë të skelës, kur, sipas rindërtimeve të para, ai u rrëzua pas hapjes së shkallës.
Në të njëjtën kohë, hetuesit duhet të përcaktojnë nëse muratori mbante të gjitha pajisjet e sigurisë, si kaskë dhe rrip sigurie, ndërkohë e gjithë skela është sekuestruar për të verifikuar respektimin e normave për parandalimin e aksidenteve në punë.
59-vjeçari, i cili rezulton se kishte numër të TVSH-së si i vetëpunësuar, në të kaluarën kishte kompaninë e tij të ndërtimit, por kohët e fundit duket se punonte si artizan i pavarur për llogari të kompanive të tjera. Menjëherë pas aksidentit fatal, personeli i Mjekësisë së Punës mori në pyetje si punëdhënësin e muratorit, ashtu edhe banorin e pallatit, i cili rreth orës 13:30 të së hënës dëgjoi një përplasje të fortë që vinte nga jashtë ndërtesës në rrugën Coletti dhe, pasi doli në tarracë, pa trupin e pajetë dhe dha alarmin, duke bërë të mundur ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.
Personeli i urgjencës 118, që mbërriti në vendngjarje, e gjeti Myrtajn në arrest kardiak dhe, pasi e reanimoi, e transportoi me urgjencë me helikopter-ambulancë drejt spitalit “Bufalini” të Cesena-s, ku burri ndërroi jetë pak pas mbërritjes në spital.
Muratori kishte mbërritur në Rimini në fillim të viteve 2000 dhe kishte nisur të punonte në kantiere. Ai lë pas gruan dhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.
Familja e tij ishte e integruar në zonë dhe e njohur brenda komunitetit shqiptar të Riminit. Një komunitet që gjatë orëve të fundit është mbledhur rreth familjarëve të 59-vjeçarit.
Shoqata Agimi në Rimini shprehu publikisht zinë dhe dhimbjen e saj për vdekjen e bashkëkombësit, duke iu bashkuar ngushëllimeve pas tragjedisë. Ngushëllime u shprehën edhe nga institucionet e Riminit, me kryebashkiakun Jamil Sadegholvaad në krye, si edhe nga institucionet e rajonit.
Të martën në mëngjes, përpara Prefekturës së Riminit, sindikatat zhvilluan një protestë ulur për të sensibilizuar mbi tragjedinë e “vdekjeve të bardha”, siç quhen në Itali aksidentet fatale në punë./ RIMINI TODAY


