SPAK merr zyrtarisht nën hetim ish-ministren Olta Xhaçka dhe Artan Gaçin

Date:

Share post:

Ish-ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Xhaçka akuzohet për veprat penale “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”.

Hetimet përfshijnë edhe bashkëshortin e saj, biznesmenin dhe ish-deputetin socialist Artan Gaçi.

Çështja po hetohet nga prokurorët e posaçëm Ols Dado dhe Altin Dumani.Pjesë e dosjes janë edhe të dhëna të mbërritura nga jashtë vendit përmes letërporosisë.

Sipas informacioneve të raportuara, nga hetimet e deritanishme kanë dalë të dhëna që dyshohet se e lidhin ish-ministren me veprime korruptive dhe transaksione përmes kompanive të bashkëshortit të saj.

Në qendër të vëmendjes është edhe aktiviteti i Artan Gaçit, i cili ka përfituar statusin e investitorit strategjik dhe po ndërton një resort turistik.Prona mbi të cilën po ndërtohet resorti dyshohet se është përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.

Kujtojmë se Xhaçka u paraqit në ambientet e SPAK të mërkurën, vetëm pak minuta pasi ambientet e godinës së xhamtë i kishte lënë bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, i cili po ashtu është nën hetim për të njëjtat akuza.

Në kallëzimin e asokohe, u përfshi edhe emri i ish-ministres Olta Xhaçka për shkak të lidhjes bashkëshortore me Gaçin dhe dyshimeve për konflikt interesi, në një kohë kur ajo ushtronte funksionin e Ministres së Jashtme.

Në kallëzim pretendohej se Xhaçka nuk kishte deklaruar konfliktin e interesit dhe se, nëpërmjet regjimit martesor, mund të kishte përfituar të drejta pasurore nga investimi i bashkëshortit. Këto pretendime u lidhën me statusin e investitorit strategjik dhe përfitimet që shoqëronin projektin.

Në prill të vitit 2025, Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin penal ndaj Xhaçkës dhe Gaçit lidhur me këtë çështje. Kallëzimi përfshinte dyshime për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Ndërkohë, paraqitja e fundit e Artan Gaçit në SPAK lidhet me një hetim të ri, të ndryshëm nga çështja e pronave në Himarë.

Gaçi është nën hetim për dyshime për pastrim parash, pas të dhënave që dyshohet se janë zbuluar gjatë këqyrjes së telefonit të një shtetaseje që ka bashkëpunuar me drejtësinë në një çështje tjetër.

Nga këto materiale, dyshohet se janë zbuluar komunikime që lidhen me transferta monetare drejt disa shteteve. Hetuesit po verifikojnë rrethanat e këtyre lëvizjeve financiare dhe lidhjet e mundshme me persona të tjerë.

Gaçi u paraqit në SPAK më 8 tetor, i shoqëruar nga avokati i tij, ndërsa më 14 tetor u paraqit edhe Xhaçka. Pas paraqitjes në SPAK, ish-ministrja ashtu si bashkëshorti i saj janë marrë zyrtarisht nën hetim për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Arrestime të ligjshme” Gjykata jep masat e sigurisë për protestuesit

4 protestues nga 22 të arrestuar për dhunën që shpërtheu në protestën kombëtare të shtunën, u lanë në...

Divjakë/ Flakët rrezikuan pyllin e parkut kombëtar, kapet 29-vjeçari! Ndezi zjarr në Kryekuq

Një 29-vjeçar dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Kryekuq të Divjakës, duke rrezikuar përhapjen e flakëve drejt...

Aksident në aksin Berat–Dimal, humb jetën 63-vjeçari

Një automjet përplasi një biçiklist në fshatin Moravë, ndërsa nga aksidenti mbeti e plagosur edhe një këmbësore 63-vjeçare....

Po pinte kafen e mëngjesit, kur një person i maskuar e qëlloi nga pas këngëtarin në Shkodër

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja me armë zjarri në fshatin Shtoj të Shkodrës, ku mbeti i...