Bizneset në Rrugën e Durrësit kanë ulur qepenat këtë të premte, ndërsa studentët dhe gjimnazistët po grumbullohen pranë Ministrisë së Arsimit për të vijuar protestën në ditën e katërt.
Frika nga përsëritja e incidenteve të dhunshme ka bërë që pjesa dërrmuese e tregtarëve të zonës të ndërpresin aktivitetin, për të shmangur dëmtimet e mundshme të lokaleve dhe dyqaneve.
Pronarët kanë vendosur edhe mesazhe drejtuar protestuesve, duke u kërkuar të mos shkatërrojnë bizneset dhe mundin e tyre. Disa prej këtyre mesazheve shoqërohen edhe me zemra, si një mënyrë për të shprehur mbështetjen ndaj studentëve dhe njëkohësisht për t’u kërkuar të shmangin dhunën.

Një prej pronarëve që pësoi dëmtime gjatë protestës së një dite më parë është rikthyer sot në ambientet e biznesit të tij, ku po mbledh xhamat e thyer dhe po përpiqet të riparojë dëmet.

Ai shprehet se mbështet studentët dhe kauzën e tyre, por kundërshton veprimet e dhunshme që godasin bizneset private.
Situata në Rrugën e Durrësit tregon edhe pasojat që kanë sjellë përplasjet e ditëve të fundit. Ndërsa studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pronarët e bizneseve po përballen me dëmtime materiale dhe ndërprerjen e aktivitetit.
©ZëriOnline


