Kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, ka prezantuar projektin e “Pazarit të Kavajës”, duke e cilësuar atë si një investim që synon të transformojë zonën pranë stadiumit “Besa” dhe lagjes “Sallbeg”.
Sipas Qoses, projekti është hartuar nga studioja franceze “Manuelle Gautrand Architecture” dhe përbën hapin e parë të një ndërhyrjeje më të gjerë urbane, që përfshin bllokun e lagjes “Sallbeg”, zonën e njohur si “Bejtagat”, stadiumin “Besa” dhe Parkun Rekreativ.
Kreu i bashkisë shprehet se, me miratimin e lejes për stadiumin dhe zgjerimin e parkut rekreativ, kjo zonë pritet të shndërrohet në një nga hapësirat më të bukura dhe të jetueshme të qytetit. Ai e cilësoi pazarin e ri si një projekt me potencial për t’u kthyer në një nga tregjet më të veçanta në Shqipëri dhe në rajon.
Qosja theksoi se projekti dhe investimi janë iniciativa të drejtpërdrejta të Bashkisë Kavajë, ndërsa falënderoi studion franceze dhe të gjithë personat e angazhuar në hartimin e tij.

Përplasja me Taulant Ballën
Në reagimin e tij, Fisnik Qosja ka komentuar edhe publikimin e projektit nga deputeti socialist Taulant Balla, duke e akuzuar atë se ka tentuar të pengojë realizimin e tij, ashtu siç pretendon se po ndodh edhe me projektin e stadiumit “Besa”.
Qosja kundërshtoi gjithashtu përcaktimin e vendndodhjes së pazarit si qendër të Kavajës, duke sqaruar se projekti parashikohet në zonën pranë stadiumit, në lagjen “Sallbeg”.
Përmes një gjuhe të drejtpërdrejtë, kryebashkiaku hodhi akuza politike ndaj Ballës, duke e lidhur debatin për projektin me kundërshtitë mes tyre për zhvillimin urban të Kavajës.
Përtej përplasjes politike, mbetet për t’u parë se kur do të nisë zbatimi i projektit, çfarë afatesh parashikohen për realizimin e tij dhe si do të ndryshojë konkretisht zona ku planifikohet ndërtimi i pazarit të ri.

©ZëriOnline


