Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka hedhur poshtë pretendimet që qarkullojnë në rrjetet sociale lidhur me funksionimin e aeroportit të Rinasit.
TIA sqaron se aeroporti vijon punën pa ndërprerje dhe se të gjitha shërbimet për pasagjerët janë plotësisht funksionale.
Aeroporti u bën thirrje qytetarëve që të mos mbështeten te informacionet e pakonfirmuara, por të ndjekin kanalet zyrtare për oraret dhe mbarëvajtjen e fluturimeve.
“Lidhur me disa informacione të rreme, të shpërndara në rrjetet sociale mbi funksionimin e aeroportit, TIA sqaron se:
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka vijuar dhe vijon normalisht punën, në funksionalitet të plotë. Të gjitha fluturimet, si ato hyrëse, ashtu edhe ato dalëse, vijojnë sipas kalendarit të paracaktuar. Nuk ka asnjë ndërprerje të shërbimeve në aeroport. Përkundrazi, jemi në operacionalitet të plotë, duke i shërbyer me efikasitet çdo pasagjeri.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të komunikimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës për informacione mbi kalendarin dhe mbarëvajtjen e fluturimeve, si dhe mbi funksionimin e aeroportit.
Transparenca e plotë është detyrimi ynë kryesor!”-njofton Aeroporti Ndërkombëtar të Tiranës.
©ZëriOnline


