Ndërsa protestat vijojnë dhe tensionet janë shoqëruar me përplasje, dëmtime të pronës publike dhe shoqërime në polici, shoqata “Durrësi Autokton” ka dalë me një deklaratë publike, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet dhe ndalimin e dhunës ndaj të rinjve.
Shoqata dënon si dëmtimin e pronës publike, ashtu edhe përdorimin e forcës disproporcionale nga organet e rendit ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Sipas saj, pasuria publike u përket të gjithë qytetarëve dhe mbrojtja e saj është përgjegjësi e përbashkët, por kjo nuk justifikon dhunën apo trajtimin poshtërues.
Në deklaratë, “Durrësi Autokton” u bën thirrje pushtetit lokal dhe qendror, si dhe deputetëve, të lënë mënjanë propagandën dhe të përqendrohen te zgjidhja e problemeve të qytetarëve. Sipas shoqatës, mosreagimi ndaj kërkesave të të rinjve ka ndikuar në krijimin e situatës aktuale, ndaj institucionet duhet të marrin përgjegjësi dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete e të pranueshme për protestuesit.
“Rinia dhe studentët janë e ardhmja e këtij vendi dhe zëri i tyre duhet dëgjuar me përgjegjësi”, thuhet në deklaratë.
Shoqata u bën gjithashtu thirrje protestuesve të ruajnë gjakftohtësinë dhe të shmangin dëmtimin e pronës publike, duke theksuar se kërkesa për llogaridhënie duhet të shoqërohet me qëndresë qytetare dhe dialog.
©ZëriOnline


