2.750 efektivë do të përfitojnë shpërblim financiar për angazhimin në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Fatura prej 740 milionë lekësh do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa vendimi ngre pikëpyetje për përdorimin e fondeve publike në një kohë tensionesh dhe përplasjesh.
740 milionë lekë nga buxheti i shtetit do të shkojnë për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit pas angazhimit të tyre në protestat e ditëve të fundit. Vendimi u miratua këtë të hënë, më 19 tetor, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe firmën e kryeministrit Edi Rama.
Në total, 2.750 punonjës policie do të përfitojnë shpërblim financiar, ndërsa fondi prej 740 milionë e 80 mijë lekësh do të shtohet në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin e shpenzimeve korrente të programit buxhetor “Policia e Shtetit”.
Efekti financiar do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026. Sipas vendimit, shpërblimi për secilin punonjës llogaritet në 269.120 lekë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Policisë do të përcaktojë listën emërore të përfituesve dhe do të ndjekë procedurat për shpërndarjen e parave.
Shpërblimi vjen pas 6 ditëve të tensionuara të protestave, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe policisë, efektivë të lënduar, dëmtime të pronës publike dhe shoqërime e arrestime. Kryeministri Edi Rama e ka lidhur shpërblimin me angazhimin e punonjësve të policisë në përballimin e protestave.
Kompensimi financiar për efektivët që përballen me situata të vështira dhe rrezik gjatë detyrës argumentohet si një vlerësim për angazhimin e tyre, por ky vendim i qeverisë ka dhe koston që kjo situatë sjell për financat publike.
Bëhet fjalë për 740 milionë lekë që do të mbulohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Përplasjet në rrugë nuk kanë vetëm kosto të menjëhershme, si dëmtimet materiale apo angazhimi i strukturave të rendit. Ato shoqërohen edhe me shpenzime të tjera që përballohen nga financat publike dhe, pavarësisht se kush proteston apo kush angazhohet për të garantuar rendin, paratë e buxhetit janë para të të gjithë qytetarëve.
Fondi rezervë i buxhetit të shtetit është parashikuar për shpenzime që nuk mund të parashikoheshin gjatë hartimit të buxhetit vjetor. Pikërisht nga ky fond qeveria ka vendosur të financojë 740 milionë lekë për shpërblimin e efektivëve të angazhuar në protestat e fundit. Vendimi ngre pikëpyetjen se si është argumentuar nevoja për këtë shpenzim të jashtëzakonshëm dhe çfarë kriteresh janë përdorur për përcaktimin e përfituesve.
Shpërblimi i policisë mund të justifikohet me angazhimin e shtuar, por kjo nuk e përjashton detyrimin për të shpjeguar qartë se si shpenzohen fondet publike. Krahas rendit dhe sigurisë, transparenca dhe llogaridhënia mbeten pjesë e së njëjtës përgjegjësi ndaj qytetarëve.
©ZëriOnline


