Një grup që shpërndante lëndë narkotike pranë institucioneve arsimore në Fier është goditur nga policia, pas disa muajsh hetimesh. Operacioni i koduar “Clean School” ka çuar në arrestimin e katër personave, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë përfunduar Kevin Bare, 28 vjeç, Dejvi Ferko, 25 vjeç, Marjus Zhaka, 48 vjeç, dhe Taulant Çela, 52 vjeç, të gjithë banues në Fier. Ndaj tyre është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar më herët nga Gjykata e Fierit.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë kërkimet për kapjen e një 38-vjeçari me inicialet E. B., gjithashtu banues në Fier, ndaj të cilit është vendosur e njëjta masë sigurie.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të arrestuar, efektivët sekuestruan 2.9 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, dy peshore elektronike dhe katër telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale për hetimet.
“Pas një hetimi disa mujor, të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të pjesëtarëve të një grupi që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në qarkun Fier.
Bazuar në provat e siguruara, Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, finalizoi operacionin policor të koduar “Clean School”.
Gjatë operacionit u ekzekutuan 4 nga masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata, konkretisht për shtetasit:
K. B., 28 vjeç, D. F., 25 vjeç, M. Zh., 48 vjeç dhe T. Ç., 52 vjeç, të katërt banues në Fier.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit E. B., 38 vjeç, banues në Fier, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.9 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate telefonike celularë”, njoftoi Policia.


