Fuqizimi kundër Dhunës në familje, SHGPS: Një front i bashkuar për reagim të shpejtë dhe mbrojtës

Date:

Share post:

Një tryezë e gjerë ndërinstitucionale u zhvillua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë në Durrës, pak ditë më parë, ku rreth 30 përfaqësues nga policia, bashkia, prefektura, arsimi, shëndetësia dhe shoqëria civile u bashkuan për të diskutuar rrugët më efektive të luftës kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.  

Takimi prezantues shënoi nisjen e projektit “Forcimi i bashkëpunimit dhe ndërhyrjeve për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore përmes Mekanizmave Lokale dhe Policimit në Komunitet”, duke vënë në qendër rëndësinë e bashkëpunimit mes aktorëve lokalë për një reagim më të shpejtë dhe të koordinuar ndaj rasteve të dhunës.  

Në fjalën hyrëse, drejtuesja ekzekutive e Shoqatës Gender, Paqe dhe Siguri (SHGPS), Bajana Çeveli, theksoi përkushtimin e shoqatës për t’u gjendur pranë viktimave përmes ofrimit të shërbimeve mbështetëse, fuqizimit ekonomik dhe garantimit të sigurisë së grave në komunitet.  

Ajo vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me Policinë e Shtetit, duke e konsideruar atë kyç në ndihmën për viktimat e dhunës dhe në ndërtimin e besimit të komunitetit.  

Rritje e rasteve të dhunës, sfida për shërbimet  

Kryekomisar Ali Allaraj, Shef i Sigurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë, duke u ndalur te rritja e rasteve të raportuara të dhunës në familje theksoi se kjo është rezultat i ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe grave në veçanti ndaj fenomenit, ndërsa pranoi sfidat me të cilat përballen strukturat policore, përfshirë mungesën e punonjëseve gra në rolin e specialistëve të zonës (SPZ).  

“Ngarkesa e lartë dhe mungesa e motivimit financiar mbeten pengesë për përfshirjen e grave në këtë rol të rëndësishëm”, u shpreh Allaraj, duke kërkuar më shumë mbështetje për rritjen e kapaciteteve në terren.  

Zyrtarë nga prefektura e qarkut dhe bashkia Durrës dhanë mesazhe të qarta për domosdoshmërinë e koordinimit dhe ndarjes së përgjegjësive, duke nënvizuar se rastet urgjente kërkojnë më shumë staf dhe logjistikë.  

Nga dritat e rrugëve te streha për viktimat 

Në diskutimet e mëtejshme, pjesëmarrësit prekën një sërë problematikash konkrete: ndriçimi i pamjaftueshëm i rrugëve që cënon sigurinë e grave, mungesa e strehave emergjente dhe sfidat me zbatimin e Urdhrave të Mbrojtjes.  

U theksua gjithashtu nevoja për trajnim të vazhdueshëm të oficerëve të policisë mbi ndryshimet ligjore dhe ndjeshmërinë ndaj viktimave. Një propozim me interes erdhi për përdorimin e banesave të sekuestruara nga shteti si strehë të përkohshme për viktimat ose për rehabilitimin e dhunuesve.  

Zgjidhje të përbashkëta për një problem të përbashkët  

Takimi kulmoi me një listë gjetjesh e rekomandimesh konkrete për përmirësimin e reagimit institucional:  

– Forcimi i mekanizmave të referimit lokal për të identifikuar dhe ndihmuar më shpejt viktimat.  

– Trajnimi i specialistëve të policisë për ndërhyrje të hershme dhe ndjeshmëri në trajtimin e rasteve.  

– Rritja e ndërgjegjësimit në komunitet përmes fushatave dhe përfshirjes së qytetarëve në temat e barazisë gjinore.  

– Krijimi i shërbimeve të qëndrueshme psiko-sociale dhe ligjore për viktimat, si dhe ndihma për punësimin dhe fuqizimin ekonomik të tyre.  

Në mbyllje, znj. Çeveli hodhi një ide që gjeti mbështetje të gjerë mes  nevojën për organizimin e një amnistie për mbledhjen e armëve pa leje, si një masë që mund të ndikojë ndjeshëm në sigurinë e grave.  

Takimi shërbeu dhe si një sinjal i qartë se dhuna në familje nuk është vetëm problem i një institucioni, por sfidë që kërkon një përgjigje të bashkuar dhe të përhershme nga të gjithë aktorët lokalë.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Lezhë/ E qëlluan me armë ndërsa lëvizte me makinë, 30-vjeçari u shpëton plumbave

Një 30-vjeçar në Lezhë u ka shpëtuar paq plumbave në drejtim të tij. Ai po lëvizte me ‘Audi’-n e tij...

Arrestimi i Ermal Beqirit, SPAK kërkon ekstradimin

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë me një njoftim zyrtar për arrestimin...

Bulqizë/ Shembet galeria e kromit në Tërnovë, dyshohet për një viktimë

Një aksident i rëndë është regjistruar në një galeri kromi në malin e Tërnovës të Bulqizës Dyshohet se është...

Zjarr i madh në Fushë-Arrëz, flakët rrezikojnë banesat

Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu mesditën e së shtunës në fshatin Bardhet, njësia administrative Qafë Mali,...