Të paktën dy familje në vend po përballen sot me ankthin dhe pasigurinë që sjell mungesa e një të afërmi. Brenda 24 orëve të fundit, janë regjistruar dy raste të largimeve nga banesa: një 21-vjeçar në Tiranë dhe një grua 41-vjeçare në Kavajë. Të dyja rastet janë denoncuar në polici, e cila ka nisur menjëherë procedurat për shpalljen në kërkim dhe hetimin e shkaqeve të mundshme.
Në rastin e parë, një 59-vjeçar iu drejtua komisariatit për të raportuar se djali i tij nuk është kthyer në shtëpi që nga data 10 prill. Në Kavajë, një burrë denoncoi largimin e papritur të bashkëshortes së tij dhe humbjen e kontakteve. Edhe pse këto episode mund të kenë shkaqe të ndryshme nga vendime të ndërgjegjshme për t’u larguar, deri te forma më e thellë e rebelimit apo reagimit emocional. Ato mbeten gjithmonë ngjarje me pasoja të mëdha për familjarët.
Ky fenomen është kthyer tashmë në një sfidë të përhershme për strukturat e rendit, që detyrohen të ndërhyjnë në çdo rast të tillë për të zbuluar nëse pas largimit fshihet një histori dhune, presioni psikologjik, një akt kriminal, apo thjesht dëshira për pavarësi.
Në pamje të parë, largimi i një të rrituri nga banesa mund të duket si çështje personale. Por kur motivet nuk janë të qarta dhe kur nuk ka asnjë komunikim me familjarët, dyshimet rriten dhe frika merr përmasa të reja. Për prindërit dhe bashkëshortët, kjo është një traumë e vërtetë, që shpesh shoqërohet me ndjenja faji, paqartësi dhe pafuqi për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe pse.
Nga ana tjetër, edhe për policinë kjo është një barrë që nuk mund të shmanget. Sepse çdo rast duhet trajtuar me seriozitet, meqë në fund të ditës, pas një largimi të tillë mund të fshihet një histori abuzimi, një marrëdhënie toksike, apo më keq akoma, një akt kriminal.
Kujtojmë dhe rastet kur bijtë raportuan në policinë e Durrësit një vit më parë largimin nga shtëpia të baballarëve të tyre. Dy raste të ndryshme, dy familje të ndryshme, po fat i njêjtë. Të dyja në Shënavlash. Fëmijët që kërkonin ndihmë për etërit, rezultoi pas hetimeve policore të ishin atvrasës.
Shpesh këto ngjarje kalojnë pa shumë bujë, por janë tregues të një realiteti që flet për tensione familjare, mungesë komunikimi dhe shpesh për paaftësi për të përballuar ndryshimet që sjell rritja, pavarësimi dhe krizat brenda një lidhjeje dhe një familjeje.
Ndaj, përveç ndërhyrjes policore, nevojitet edhe ndërhyrje sociale, mbështetje psikologjike për familjet dhe sidomos krijimi i një kulture dialogu dhe mirëkuptimi brenda mureve të shtëpisë. Sepse kur shtëpia mbetet bosh, ajo që mungon nuk është vetëm një person fizikisht, por edhe një pjesë e sigurisë emocionale dhe ekuilibrit familjar, përpos rasteve kriminale kur ajo që mbetet pas është shkatërrimi dhe trauma e pariparueshme.
V.Q.
©️zërionline


