S’i kemi larë ende hesapet me krimin e korrupsionin/ Dumani nga Durrësi: “Pa drejtësi nuk ka paqe, pa llogaridhënie nuk ka demokraci”

Date:

Share post:

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, përcolli një mesazh të fortë gjatë Konferencës së 8-të Shkencore Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një ndër sfidat më të mëdha për institucionet e drejtësisë në vend.

Dumani e konsideroi prezencën e tij në këtë konferencë pjesë të një komunikimi të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe universiteteve, me synimin për të përforcuar lidhjen midis brezit të ri të juristëve dhe reformave të thella që po ndërmerren për ndërtimin e një sistemi të drejtë dhe të paanshëm.

“Besimi dhe drejtësia janë elementë të rëndësishëm; pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci të shëndetshme”, u shpreh kreu i SPAK, duke rikujtuar të pranishmit për rëndësinë e funksionimit të shtetit të së drejtës.

Ai nënvizoi se SPAK është një ndër produktet më të rëndësishme të reformës në drejtësi dhe se ky institucion është ngritur për të goditur fenomenet që minojnë shtetin ligjor dhe besimin e qytetarëve. Sipas tij, SPAK e ka treguar në praktikë se ushtron kompetencat ndaj çdo subjekti, pavarësisht pozicionit, lidhjeve politike apo përkatësive të tjera.

“Jemi të vetëdijshëm që ka ende shumë punë për të bërë për të çrrënjosur krimin e organizuar. Kjo është një betejë e gjatë dhe e vështirë, që nuk mund të fitohet pa përfshirjen dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve”, tha Dumani, duke i bërë thirrje klasës politike, institucioneve të drejtësisë dhe shoqërisë civile që të mos qëndrojnë pasive përballë kësaj sfide.

Në përfundim, ai pati edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për studentët e drejtësisë, duke i inkurajuar që të ndërtojnë karrierën mbi bazat e ndershmërisë dhe integritetit personal: “E ardhmja e drejtësisë është në duart tuaja. Ju jeni brezi që do të mbrojë dhe zhvillojë më tej vlerat e shtetit ligjor në Shqipëri.”

Fjalimi i Dumanit erdhi në një moment ku institucioni që ai drejton është në fokus të pritshmërive të larta publike dhe ndërkombëtare, për të sjellë rezultate konkrete në luftën kundër pandëshkueshmërisë dhe për të rritur besimin e qytetarëve tek drejtësia.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Ambasada amerikane zbardh takimin e Ambasadorit Wendt me kryeministrin Rama

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas takimit të ambasadorit të ri amerikan, Eric Wendt,...

Zjarret në Durrës, fiken 3 vatra, vijon lufta me flakët në Fllakë dhe Gjirin e Lalzit

Situata e zjarreve në qarkun e Durrësit është përmirësuar, por dy vatra vijojnë të jenë aktive. Sipas informacionit nga...

Zjarr i madh në Fllakë, përfshihet nga flakët pika e grumbullimit të skrapit, tymi shihet nga autostrada

Një vatër zjarri është përhapur me shpejtësi pasditen e sotme në zonën e Fllakës, në Durrës. Sipas të dhënave...

Virusi i Nilit Perëndimor, konfirmohet raste të reja infektimi në Shqipëri

Dy raste të reja me virusin e Nilit Perëndimor janë shfaqur në Shqipëri, duke e çuar numrin e...