Një histori dashurie mes një shqiptari dhe një shtetaseje italiane mori një kthesë dramatike, kur ajo përfundoi e dhunuar dhe e izoluar për disa ditë në një banesë në fshatin Cakran të Fierit. E reja italiane, e ardhur në Shqipëri për të jetuar me partnerin e saj, u gjend në një situatë të frikshme, ku përveç abuzimit psikologjik dhe fizik, iu mohua edhe e drejta për të lëvizur dhe për të kërkuar ndihmë.
Autori i dyshuar, Albion Islami, 27 vjeç, me precedentë penalë për dhunë në familje dhe vjedhje, kishte krijuar me të një bashkëjetesë që shpejt u shndërrua në një makth për të renë italiane. Ai dyshohet se e ka kërcënuar dhe dhunuar vazhdimisht, ndërsa e mbante të mbyllur në banesë, pa asnjë kontakt me botën jashtë.
Alarmi u dha nga Zyra e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës italiane në Tiranë, pas një komunikimi të koduar që viktima kishte arritur të përcillte te miqtë e saj në Itali. Menjëherë pas sinjalizimit, u ngrit operacioni i koduar “Fast Reaction”, i cili u koordinua në kohë reale mes Policisë së Fierit, Forcës së Posaçme Operacionale dhe autoriteteve italiane të sigurisë.
Forcat “Shqiponja” ndërhynë me shpejtësi, duke lokalizuar banesën në fshatin Cakran dhe duke vënë në pranga 27-vjeçarin në tentativë për t’u larguar me një makinë të marrë me qira. Ai u kap me prova që pritet të përdoren në procesin penal që do të ndiqet nga Prokuroria e Fierit për veprën penale “Dhuna në familje”.
E reja italiane u shpëtua dhe iu dorëzua autoriteteve të Konsullatës italiane në Shqipëri. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën e nevojshme psikologjike.
Kjo ngjarje rikthen vëmendjen te rreziku që fshehin marrëdhëniet toksike dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar për të mbrojtur viktimat e dhunës, kudo ku ndodhen.
©️zërionline


