Në një vizion që tingëllon si një skenar fantastiko-shkencor, por që vjen nga një prej mendjeve më të ndritura të teknologjisë, Bill Gates parashikon një transformim rrënjësor të mënyrës së jetesës dhe punës. Sipas tij, brenda një dekade, inteligjenca artificiale do të jetë aq e zhvilluar sa do të marrë përsipër shumicën e punëve që sot bëhen nga njerëzit, duke e reduktuar javën e punës në vetëm dy ditë.

Në një prononcim të fundit, Gates nënvizoi se shoqëria duhet të fillojë të mendojë për mënyrën se si do ta shfrytëzojë këtë kohë të lirë të fituar, që sipas tij do të jetë një “luks i bollëkut”. Falë inteligjencës artificiale, mungesat në sektorët kyç si shëndetësia dhe arsimi mund të zgjidhen përfundimisht, me mjekë dhe mësues të besueshëm virtualë që do të jenë në dispozicion të të gjithëve.
Por transformimi nuk ndalet këtu. Gates parashikon që edhe puna fizike do të merret përsipër nga robotë të pajisur me AI, duke i dhënë njerëzimit më shumë kohë për të ndjekur qëllime më të thella, personale e shpirtërore. Ai ngre gjithashtu një debat të rëndësishëm: si do të ndahen përfitimet e kësaj kohe të lirë? Çfarë do të thotë për drejtësinë sociale një fundjavë pesë-ditore?
Ndërsa bota po përgatitet për një revolucion teknologjik të paprecedentë, vizioni i Gates sfidon mënyrën tradicionale të të jetuarit dhe hap një dritare të re reflektimi mbi të ardhmen e punës, jetës dhe vetë shoqërisë njerëzore.
©️zërionline


