Sfida e të huajve me shqipen, një sfidë që i mban lidhur me vendin e shqiponjave

Date:

Share post:

Të mësuarit dhe dashuria për gjuhën shqipe janë shndërruar në një sfidë të bukur për mjaft të huaj që zgjedhin të qëndrojnë më gjatë se pak javë në Shqipëri, vendin që po përballet me ritme të larta zhvillimi në sektorin e turizmit. Ky zhvillim ka sjellë një hapje të gjerë ndaj kulturës sonë dhe shumë prej të huajve që mbërrijnë në vend, veçanërisht ata që qëndrojnë më gjatë, si misionarë, apo për arsye pune, janë të motivuar të mësojnë më shumë rreth vendit. Një pjesë e tyre tentojnë të shkojnë përtej njohjes së fakteve bazë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Synojnë njohjen e gjuhës sonë. E njohur si një nga gjuhët më të vjetra dhe më të rralla në botë, gjuha shqipe po tërheq gjithnjë e më shumë të huajt që vijnë në Shqipëri. Oriola Tufa është një mësuese që ofron mbështetje në këtë rrugëtim të vështirë drejt njohjes dhe përdorimit të një prej gjuhëve më të veçanta dhe më të vjetra të botës. Ajo përpiqet t’u mësojë sekretet për ta përvetësuar shpejt e mirë gjuhën e folur, po pa lënë pas dore gramatikën dhe shqiptimin që mbeten sfidë për nxënësit e saj.

“Janë studentë nga kultura të ndryshme dhe patjetër që përballja me gjuhën tonë është shumë e vështirë. Ka dhe nga Koreja e Jugut që ka një gjuhë krejt të ndryshme nga gjuhët indoevropiane ku përfshihemi ne. Po ajo që i bën ata të ecin përpara me gjuhën shqipe është dëshira dhe dhuntia që kanë. Falë saj mund ta kapin gjuhën më shpejt.”, tregon Oriola, që i përgatit me shumë kujdes orët mësimore me të huajtë.

Anile është nga Meksika dhe tregon mbi sfidën e saj:

“Në fillim ishte shumë e vështirë se gramatika ishte e ndryshme nga spanjishtja, po tani kam mbi 3 vjet dhe jam më e mirë në shqip.” 

Për një tjetër studente të shqipes, njohja e gjuhës është mundësia më e mirë për të njohur vendasit dhe kulturën e tyre:

“Dua të kuptoj njerëzit këtu, ndaj kam nisur të mësoj shqip. Jam nga Finlanda dhe prej dy muajsh ndodhem këtu. Gjuha ime, finlandishtja është e vështirë, ndaj mund ta kuptoj më lehtë gramatikën tuaj.”

Edhe pse e vështirë, gramatika e shqipes nuk i step të huajtë që vijnë nga vende të ndryshme dhe përballen me kulturën shqiptare përmes gjuhës së saj. Me pak orë studimi dhe shumë biseda shoqërore me vendasit, ata po e mësojnë gjithnjë e më mirë gjuhën tonë. Shajen (Cheyenne) është nga Karolina e Jugut dhe verën e kaluar mbërriti në Shqipëri si misionare.

“Është e vështirë, por është shumë qejf me njerëz në Shqipëri që janë shumë të mirë dhe duan të flasin me mua. Njerëzit janë shumë të dashur.”

Përmes gjuhës, ata mësojnë më shumë dhe për kulturën, historinë dhe zakonet e shqiptarëve. 

Mateo, një tjetër amerikan, mbërriti në Shqipëri rreth 17 vite më parë bashkë me familjen. U dashurua me vendin tonë dhe tregon se tashmë ndjehet vendas.  

“Ne kishim dëgjuar më parë ca gjëra për Shqipërinë, për Skënderbeun dhe komunizmin dhe nisëm të studionim pak gjuhën. Kishim një CD po ca gjëra aty nuk ishin të drejta. Kam shumë qejf për të folur me njerëzit dhe çdo ditë jam në lokal me burrat e lagjes duke biseduar. 

– Edhe ndonjë gotë raki?

– Jo, unë nuk pi raki, po kafe dhe çaj. Ata kanë qejf të pinë raki.”

Kultura dhe traditat, zakonet tona i joshin shumë të huajtë që vijnë nga përtej oqeanit. I martuar me dashuri, një Australian 27- vjeçar shprehet se ndeshi për herë të parë në Shqipëri konceptin e mblesërisë. 

“Nuk e kuptoj bazën e kësaj në praktikë, po kjo vjen nga kultura ime. Më mirë me dashuri se je i vullnetshëm dhe të dy anët përkushtohen dhe ka një themel më të mirë për një marrëdhënie.”

Mësimi i gjuhës shqipe mbetet një sfidë e bukur në emër të bashkëjetesës me banorët dhe kulturën e vendit ku këta të huaj kanë zgjedhur të jetojnë përkohësisht, a përgjithmonë, ndërsa të përshëndesin me një dolli me pije freskuese duke uruar në grup:

“GËZUAR! NE E DUAM SHQIPËRINË.”

©️zërionline

*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.

spot_img

Artikuj të lidhur

Rezultatet e votimit në PD/ Durrësi e Shijaku, mbështetje masive për Berishën

Ka përfunduar procesi i votimit në referendumin e votëbesimit në degët e Partisë Demokratike në Durrës dhe Shijak,...

Referendumi për Berishën në Durrës/ Pjesëmarrja arrin deri në 20% në 5 orët e para, ka edhe vota kundër

Procesi i votimit për referendumin e votëbesimit në Partinë Demokratike po vijon i qetë këtë të shtunë në...

U përplas me armë me policinë greke, plagoset shqiptari

Një përplasje me armë zjarri mes një shqiptari dhe policisë në orët e para të mëngjesit të sotëm...

Sherr në paraburgimin e Vlorës, dhunohet ‘biznesmeni’ 

Një sherr ka ndodhur në paraburgimin e Vlorës, ku sipas raportimeve të paktën 5 persona kanë dhunuar një...