Turizmi i kroçerave, apo i lundrimit siç njihet ndryshe, po kthehet në një nga sektorët me rritje të ndjeshme dhe në vendin tonë. Mëngjesin e së martës, 448 turistë nga 22 vende të botës mbërritën në portin e Durrësit, përmes një linjë të re që e ka përfshirë dhe Shqipërinë në hartën turistike të perlave të Mesdheut.
“Seabourn Quest” ndalet për herë të parë në vendin tonë, duke e përfshirë Durrësin në turet e saj.
“Kam kaluar kaq herë pranë Shqipërisë për të shkuar në Greqi dhe Kroaci dhe gjithnjë mendoja kur do të vija në vendin tuaj. Sot ndihem i lumtur që jam këtu. Ju garantoj që vitet e ardhshme, krocierat e kompanisë sonë do të bëjnë më shumë udhëtime në Shqipëri.”, tha Alex Galubev, kapiten i anijes.
Turistët e mbërritur janë kryesisht amerikanë, kanadezë dhe anglezë, por ka dhe nga Australia, Filipinet, Kili, India dhe Malajzia. Të gjithë e prekin për herë të parë tokën shqiptare.
“Vij nga shteti i Floridës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kam lexuar shumë për Shqipërinë, por nuk e kam vizituar asnjëherë. Di që ka qenë vend komunist dhe së fundmi jeni në demokraci. Keni dhe zyrtarë të akuzuar për korrupsion. Mendoj se jeni një vend në zhvillim, që mezi pres ta shoh.”, u shpreh njëri prej tyre pasi zbriti nga anija turistike.

“Hera e parë këtu dhe nuk di shumë për Shqipërinë dhe mezi po pres të mësoj më shumë për të”.
Arjana Hysa Isaku, një nga tur-guidat e para në Durrës, shprehet se shumica e këtyre turistëve “kanë dëgjuar, ose lexuar për Shqipërinë, ndonëse është hera e parë që vijnë”.
“Le të themi që vendi ynë është një sekret i fundit, por i bukur në Europë dhe kjo është një nga arsyet që vizitojnë vendin tonë.”
Pas mbërritjes në port ku u pritën nga autoritetet vendore, turistët u zhvendosën në qytetin e Durrësit dhe me autobuzë drejt qyteteve të tjera në kërkim të së sotmes dhe rrënjëve, trashëgimisë së pasur historiko-kulturore të shqiptarëve.
“Kam dëgjuar vendi juaj ka një trashëgimi fantastike dhe të periudhës romake që mezi pres ta shoh. Faleminderit për mikëpritjen dhe jam e sigurtë që do të kalojmë një ditë të bukur këtu.”, u shpreh një turiste.
“Ne jemi nga Shtetet e Bashkuara dhe di që vendi juaj ka një të kaluar të lashtë, që shkon deri tek romakët, madje dhe më thellë në histori. Kam mësuar latinisht në shkollë të mesme dhe jam e emocionuar që jam këtu për të parë rrënojat e antikitetit.”
Në pritjen e tyre mori pjesë dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako e cila vlerësoi fluksin e shtuar të turistëve të këtij viti. Ajo deklaroi dhe se po punohet nga të gjithë aktorët publikë dhe privatë, për t’iu përgjigjur numrit të lartë të turistëve në vazhdimësi, përfshirë këtu dhe angazhimin afatgjatë për ta kthyer Durrësin në një destinacion të turizmit elitar dhe të qëndrueshëm.
“Durrësi është kryeqyteti, qyteti që pret më shumë vizitorë në të gjithë Shqipërinë. Patjetër, që ne do të kërkojmë turizmin elitar por kjo vjen me një punë afatgjatë, me investime që bëjnë institucionet publike, shoqëruar edhe me investimet e sektorit privat, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë të një cilësie shumë të mirë gjatë viteve të fundit.”, u shpreh Sako.
Pas Durrësit, anija turistike, e njohur dhe si “Eksploruesja e Mesdheut”, do të vijojë udhëtimin për një ndalesë në Lipari (Siçili) të Italisë.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


