Gjykata lë në burg të arrestuarit për drogën
Gjykata e Durrësit la në qeli dy të arrestuarit për tentativën e trafikimit të 7,3 kg kokainë nga porti i Durrësit drejt Anglisë. Me kërkesë të avokatit mbrojtës dhe prokurorit të çështjes Sokol Nishani, seanca për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura. Nga hetimet në lidhje me rastin ka dalë në pah se kompania “Bledi Trans Limited” së cilës i përket furgoni ku u gjet kokaina është në pronësi të Fatbardh Çunit, personit që u shpall në kërkim nga policia e Durrësit si pritës i mallit.
37-vjeçari Fatbardh Çuni me origjinë nga Hasi është emigrant i rregullt në Angli prej 11 vitesh dhe ka hapur agjencinë ku ka punësuar të vëllain Mentor Çuni dhe Arjan Doçin, kushëririn e tyre. Të dy të punësuar si drejtues të furgonit ku u gjet e fshehur sasia e drogës e ndarë në 7 pako. Ndërsa Doçi ka mohuar të jetë në dijeni për drogën e fshehur brenda mjetit, Mentor Çuni ka pranuar pjesërisht akuzën duke deklaruar se e ka marrë porosinë nga një person të cilit ia kishte dhënë furgonin dy ditë para nisjes dhe ndërhyrja për fshehjen e drogës është bërë pikërisht prej tij dhe nuk ka qenë në dijeni se çfarë malli i ndaluar ishte fshehur në furgon. Avokati mbrojtës i dy të arrestuarve kërkoi arrest në shtëpi, ose lirimin e tij kundrejt garancisë pasurore, gjë që nuk u pranua nga gjyqtarja Entela Shedula e cila caktoi arrest në burg pa afat për të dy të arrestuarit. Ata u prangosën në fundjavë pas gjetjes së 7 pakove me kokainë të fshehura poshtë sediljes së shoferit, ndërsa furgoni po kryente procedurat për t’u nisur me traget drejt Italisë dhe destinacion përfundimtar Anglinë.
Sipas avokatit mbrojtës, nuk janë kryer ende procedurat për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Fatbardh Çunit. Baba i dy fëmijëve dhe në pritje të një të treti, ai, sipas avokatit, nuk ka qenë në dijeni të ngjarjes, keqpërdorimit të furgonit dhe agjencisë së tij për trafikim narkotikësh.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


