Një hetim ndërkombëtar ka nisur prej disa javësh mbi trafikimin e dyshuar të mbetjeve toksike të çelikut nga Shqipëria drejt Tajlandës. Sekretariati i Konventës së Bazelit ka ngritur alarmin dhe ka kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare që në bashkëpunim me OLAF-in (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit) të çojnë përpara këtë hetim të rëndësishëm. Drejtoria Antitrafik pranë doganës shqiptare është bërë pjesë e hetimit.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se është identifikuar një ngarkesë e dyshimtë, e cila është nisur nga Porti i Durrësit dhe ka bërë transhipment në Trieste dhe Pire.

“DPD, OLAF dhe strukturat e tjera të përfshira po bashkëpunojnë aktivisht për të lokalizuar ngarkesën gjatë transportit dhe për të verifikuar nëse ngarkesa është me mbetje të rrezikshme”, thanë burime nga dogana shqiptare.
Dy anije të linjës së kontenierëve janë nisur nga Durrësi dhe kanë ndaluar njëra në Trieste dhe tjetra në Pire ku i kanë shkarkuar kontenierët e dyshuar që janë ngarkuar në të tjera anije më të mëdha për të vijuar lundrimin drejt destinacionit përfundimtar. Lajmi i raportuar nga Bloomberg News ka bërë jehonë dhe në mediat aziatike që ngrejnë shqetësimin mbi këtë trafik mbetjesh toksike.
Rrjeti i Veprimit të Bazelit, së bashku me grupet ambientaliste “Ekologjik Alert” dhe “Recovery-Thailand,” kanë bërë të ditur se mbi 800 ton pluhur çeliku nga furrat me hark elektrik është ngarkuar në anije në Shqipëri dhe më pas është transferuar në anijet e kontejnerëve Maersk në Trieste, Itali. Sipas të dhënave të disponueshme online, edhe anijet e Kompanisë Mesdhetare të Transportit Detar MSC SA janë të përfshira në këtë transport, me destinacion përfundimtar Tajlandën.
Pluhuri nga furra është një mbetje e rrezikshme që vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike, si kadmiumi dhe kromi, të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.
Më 4 korrik, dyzet kontejnerë me përmasa 20-foot u ngarkuan në anijen Contship Vow në portin e Durrësit dhe u transferuan më pas në Maersk Campton në Trieste disa ditë më vonë. Këta kontejnerë pritet të transferohen përsëri në një anije MSC në Singapor më 18 gusht dhe të mbërrijnë në portin Laem Chabang të Tajlandës më 20 gusht.
Një dërgesë tjetër prej rreth 60 kontejnerësh, të ngarkuar fillimisht në një anije MSC nga Shqipëria, është gjithashtu duke udhëtuar drejt Singaporit në Maersk Candor.
Campton ndaloi transmetimin e vendndodhjes më 31 korrik, dhe sipas Maersk, ndonëse nuk është e pazakontë që anijet të ndalojnë transmetimin për arsye sigurie, anija aktualisht ndodhet në Oqeanin Indian duke u drejtuar për në Singapor.
Campton pritet të ndalojë në Singapor më 14 gusht, ndërsa Candor pritet të mbërrijë më 22 gusht, përpara se kontejnerët e supozuar të mbushur me pluhur nga furra të shkojnë për në Tajlandë.
Sipas Bloomberg News, MSC dhe autoritetet shqiptare përgjegjëse për autorizimin e eksporteve të mbetjeve nuk kanë dhënë ende ndonjë koment lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, autoritetet portuale të Singaporit gjithashtu nuk kanë reaguar ndaj kërkesave për koment.
“Ditët e ardhshme janë vendimtare pasi Singapori dhe Tajlanda do të duhet të veprojnë për të ndaluar anijet,” tha Jim Puckett, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Veprimit të Bazelit. Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria duhet të marrë mbrapsht kontejnerët dhe të sigurohet që mbetjet të mos ri-eksportohen në një destinacion tjetër të painformuar për rrezikun e tyre.
Puckett paralajmëroi se tregtarët dhe industria duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë trafik dhe të gjitha palët e përfshira duhet të ndiqen penalisht për të penguar praktika të tilla në të ardhmen.
Burime nga grupi i angazhuar në këtë hetim bëjnë me dije se ka zhvillime pozitive lidhur me çështjen, por që ende nuk mund të bëhen publike ndërsa anijet transportuese të kontenierëve janë në lundrim e sipër.
@zërionline


