Vokalistja mbështetëse e grupit muzikor “DNK”, Sara Projkovska humbi jetën nga zjarri që shpërtheu në diskotekën në Koçan gjatë performancës së grupit në orët e para të mëngjesit të së dielës. Lajmin për vdekjen tragjike të Sara Projkovskës, e ka bërë të ditur Fakulteti i Muzikës së Shkupit.
Ngjarja tragjike ka tronditur komunitetin artistik në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht kolegët dhe studentët e Sara Projkovskës, e cila përveçse një vokaliste e talentuar, ishte edhe një pedagoge e përkushtuar e pianos në Fakultetin e Muzikës në Shkup.


Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit në diskotekën ku po performonte grupi “DNK”, duke rezultuar fatal për Projkovskën dhe anëtarët e tjerë të grupit. Autoritetet po hetojnë shkaqet e incidentit dhe masat e sigurisë në ambientin ku ndodhi tragjedia.
Projkovska, nënë e dy fëmijëve, po përpiqej të siguronte jetesën pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, trompetistit dhe pedagogut të xhazit Aleksandar Nikolovski, i cili vdiq në vitin 2021 në moshën 48-vjeçare.
Lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka ngjallur reagime të shumta, me kolegë dhe miq që kanë shprehur dhimbjen e tyre në rrjetet sociale, duke e përshkruar si një artiste të talentuar dhe një nënë të përkushtuar.
©️zërionline


