Besa e Kavajës mund “Flamurtarin” në shtëpinë e vet. Tensioni dhe nervozizmi kanë përfshirë fushën e blertë të qytetit të Vlorës, pas përfundimit të ndeshjes mes Flamurtarit dhe Besës, e cila përfundoi me rezultatin 0-2 në favor të miqve. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Flamurtari” dhe pritej të shënonte një hap të madh drejt ngjitjes në Superligë për ekipin vlonjat. Megjithatë, humbja e papritur u ka hequr çdo mundësi për të festuar siç tifozeria vlonjate kishte planifikuar.
Pas përfundimit të ndeshjes, reagimet nga tifozët vlonjatë kanë qenë të ashpra, duke shprehur zhgënjimin për rezultatin dhe ndjesinë e një mundësie të humbur.
Trajneri i Flamurtarit, Artim Pollozhani, u përpoq të qetësonte situatën pas ndeshjes, duke theksuar se gjithçka është ende e hapur.
“Janë edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Asgjë nuk ka përfunduar ende. Jemi një pikë përpara dhe do të vazhdojmë të luftojmë për ngjitjen në Superligë”, deklaroi ai.
Flamurtari ndodhet ende në garë për një vend në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa ndeshjet e mbetura pritet të jenë vendimtare për fatin e sezonit.
©️zërionline


