Një moment, një akt guximi dhe dashurie, dhe një nënë që me trupin e saj bëhet mburojë për foshnjën gjatë një stuhie shkatërruese breshëri. Janë këto imazhet dhe ndjesitë që vijojnë të qarkullojnë në rrjete sociale dhe media online, edhe pse kanë kaluar më shumë se gjashtë vite nga dita kur Fiona Simpson u përball me natyrën e egër në një rrugë të zakonshme të Queensland-it, në Australi.
Ishte tetori i vitit 2018, kur një stuhi me breshër të madh sa topat e tenisit goditi zonën juglindore të shtetit australian. Fiona, vetëm 23 vjeç, po udhëtonte me makinën e saj së bashku me vajzën 4-muajshe dhe gjyshen. Dritaret e makinës u thyen nga goditjet e dhunshme të breshërit dhe pa asnjë moment hezitimi, Fiona u hodh në sediljen e pasme dhe përdori trupin e saj për të mbuluar foshnjën. Ajo përfundoi me mavijosje dhe plagë të shumta, ndërsa foshnja nuk pësoi asnjë dëmtim serioz.



Pamjet e trupit të saj të mbuluar me shenja të dhimbshme dhe rrëfimi i saj i thjeshtë por prekës pushtuan menjëherë titujt ndërkombëtarë. “Do ta bëja sërish”, tha ajo, duke nënvizuar atë që çdo nënë e ndjen, por rrallë ka rastin ta shfaqë në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë.
Por pse kjo histori mbetet ende virale?
Sepse është universale. Nuk ka nevojë për përkthim dhe nuk kërkon kontekst politik apo kulturor për t’u kuptuar. Një nënë që sakrifikon për fëmijën është një imazh që prek. I prek të gjithë, kudo në botë, sepse është reale. Në një kohë kur shumë histori në internet janë të përpunuara, të sajuara apo të përdorura për qëllime marketingu, historia e Fionës është një dëshmi e vërtetë e fuqisë njerëzore dhe dashurisë pa kushte.
Dhe sepse është frymëzuese. Ajo na kujton se edhe përballë furisë së natyrës, instinkti për të mbrojtur fëmijën, të pafajshmin fiton. Dhe ndoshta kjo është ajo që ne kërkojmë më shumë në kohëra të pasigurta, njerëz që veprojnë me guxim të pastër.
Fiona Simpson u propozua më pas për një çmim trimërie nga autoritetet australiane. Por më shumë se çdo medalje, ajo fitoi mirënjohjen dhe admirimin e një bote të tërë. E ndërsa bota vazhdon të lëvizë, historia e saj rishfaqet herë pas here në ekrane, në rrjete sociale dhe në mendjet tona, si një kujtesë se shpesh trimëria, guximi ka emrin e nënës.
©️zërionline


